5 prioritetet e Partisë së Lirisë, Ilir Meta tregon prioritetin e madh: Shqipëria 4 milionë banorë
Këtë të hënë, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka prezantuar 5 prioritetet kryesore, ku në fokus është bërja e politikave kundër shpopullimit. Për të objektivi kryesor është që Shqipëria në 20 vitet e ardhshme të ketë 4 milionë banorë që jetojnë në vend.
“Pesë prioritetet tona dhe masat konkrete do të jenë: Ndalimi i shpopullimit, rritja e pensioneve mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverisës, arsimi dhe investimi tek kapitali njerëzor, bujqësia dhe ushqimi. Ulja e kostos së jetesës dhe Shqipëria, fuqi eksportuese.
Partia e Lirisë do të përqendrojë veprimtarinë e saj për të realizuar këto prioritete që synojnë një Shqipëri evropiane e me standarde të larta jetese. Projekti dhe objektivi madhor i Partisë së Lirisë është që në 20 vitet e ardhshme, Shqipëria të ketë mbi 4 milion banorë rezidentë shqiptarë, që të jenë të lumtur e krenarë të jetojnë e të jenë të mirëqenë në vendin e tyre.
Pra projekti aktual i “Rilindjes” dhe shpopullimit është që në vitin 2100, Shqipëria të ngelet me 1 milion banorë. Projekti i Partisë së Lirisë është në 20 vitet e ardhshme Shqipëria të ketë mbi 4 milion qytetarë shqiptarë që jetojnë në vendin e tyre”.