5 vite në liri, Lul Berisha rikthehet në burg
Pas lirimit të bujshëm në vitin 2016, Lulzim Berisha do të rikthehet në burg, pasi kështu vendosi sot Gjykata e Lartë. Sipas vendimit që u dha në mungesë, pasi Berisha është në arrati, ai do të duhet që të qëndrojë edhe 6 vite të tjera në burg. Avokati i tij Detar Hysi, thotë se ndaj vendimit do të ndërmarrë hapa ligjorë.
Berisha njihet si truri i ”Bandës së Durrësit”, një grup kriminal që është përgjegjës për disa krime të rënda. Lulzim Berisha u lirua në vitin 2016 dhe asokohe vendimi shkaktoi ”furtunë” akuzash, sidomos nga ambasada e SHBA-së dhe ajo e BE-së në vendin tonë.
Arben Vrioni ka qenë kryesues i trupës gjykuese që shqyrtoi në 2016 ankimimin e Lulzim Berishës, ndërsa anëtarë kanë qenë gjyqtarët Petrit Çeno dhe Anita Mici. Sipas vendimit të tyre, Berisha u lirua me kusht me arsyetimin se ka kryer 3/4 e dënimit me 25 vite burg si dhe për sjellje të mirë.
Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 shkurt të vitit 2005, u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendon se gjithçka u bë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës.
Po ashtu emri i Berishës kishte dalë edhe në përgjimet e grupit Avdyli nga Shijaku dhe Prokuroria ka dyshime se ai do të trafikonte ngarkesën e heroinës së prodhuar në laboratorin e drogës në Has drejt Gjermanisë.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë po jep sinjale që Reforma në Drejtësi po ecën mbarë dhe ky vendim vjen pas publikimit të strategjisë së SHBA-së kundër korrupsionit.