55 kg drogë në 2 operacione të ndryshme
55 kilogramë kanabis janë sekuestruar nga autoritetet në dy operacione të zhvilluara në Tepelenë dhe Memaliaj. Gjithashtu, dy persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.
Një prej të arrestuarve është 59 vjeçari Petrit Jahai, pasi në afërsi të banesës së tij, në fshatin Levan u gjetën të fshehura në shkurre disa qeska plasmasi, brenda të cilëve kishte kanabis me peshë totale 22 kilogramë.
Ndërsa në Tepelenë, pas informacioneve se një makinë me targa AA 375 RD po transportonte kanabis, në afërsi të një karburanti autoritetet i bënë shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i automjetit eci me shpejtësi në drejtim të punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre. Më pas, ai braktisi mjetin dhe u largua me shpejtësi në drejtim të shtratit të lumit Vjosë.
Në automjet u gjetën 7 qese plasmasi, brenda të cilave kishte 33 kilogramë kanabis. Policia shpalli në kërkim një 20 – vjeçar (me iniciale D.N) dhe po punon për kapjen e tij.
Ndërsa, pas dokumentimit të përfshirjes në këtë veprimtari kriminale, autoritetet arrestuan Elger Bajo, 29 vjeç, banues në Gjirokastër.

