6 qendra për përcaktimin e aftësisë për punë, Manastirliu: Sistem monitorimi me kamera

Nga data 1 dhjetor, në të gjithë qarkun Tiranë do të kemi sistem të ri vlerësimi për aftësinë e kufizuar. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar pikën e hapur në Dispancerinë e Tiranës, një nga 6 pikat ku janë ngritur komisionet multidisiplinore të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar duke theksuar se do të ketë transparencë maksimale në përcaktimin e aftësisë për punë, apo siç njihet nga të gjithë si KEMPI, në mënyrë që pagesat e aftësisë së kufizuar të shkojnë për qytetarët që kanë vërtet nëvojë.

Me vlerësimin e ri bio-psiko-social dhe hapjen e 6 komisioneve brenda qendrave shëndetësore, krijohen më shumë lehtësi për qytetarët që grupoheshin në një komision të vetëm. ”Me hapjen e gjashtë pikave, me 6 komisione vlerësimi, kemi reduktuar sorollatjet dhe kemi shkurtuar në maksimum kohën e aplikimeve. Me sistemin e ri të vlerësimit evitohet shtrimi i detyruar në spital për të marrë fletët e drejtimit”. Duke theksuar se për të garantuar zbatueshmërinë me efektivitet të legjislacionit pasi për hërë të parë janë miratuar metodologji të reja kontrolli, Manastirliu tha se për të garantuar transparencë do të vendoset një sistem survejimi me kamera në intervistat e qytetarëve. Manastirliu gjatë inspektimit në Dispançerinë në Tiranë përmendi disa nga risitë që reforma e re e aftësisë së kufizuar sjell.

”Kemi hequr kriterin e mospërfshirjes në vlerësim, të fëmijëve të grupmoshës 0-2 vjeç; pra sot në Tiranë do të përfshihen të gjithë fëmijët nga mosha 0-18 vjec. Kemi hequr kufizimin e pagesës prej 75% për fëmijët, i kemi kthyer këto pagesa në 100% duke shmangur kështu diferencimin për shkak të moshës si dhe duke patur parasysh që rreth 27% e përfituesve janë fëmijë 0-18 vjeç. Një tjetër risi e kësaj reforme është futja e konceptit të ndihmësit personal, i cili do të ofrojë asistencën për kujdesin personal për personin me aftësi të kufizuar. Hoqëm kufizimin ligjor të ndërprerjes së pagesës së aftësisë së kufizuar pas periudhës 4-vjeçare të punësimit”.

Gjashtë pikat e reja të komisionimit të ri biopsikosocial do të jenë të hapura nga 1 dhjetori në Qendrën Shëndetësore 10/1, Qendrën e Zhvillimit Kombinat, tek Dispanseria, në Poliklinikën nr 1 (Iraniani), Poliklinikën nr 2 (Poliklinika Qendrore) dhe në Kavajë. Në të 6 pikat e reja pritet që të komisionohen rreth 8466 persona me aftësi të kufizuara dhe rreth 1244 persona tetraparaplegjik. Me buxhetin e ri 2020, pagesat e aftësisë së kufizuar do të financohen me 16.6 miliardë lekë, nga të cilat përfitojnë rreth 166 mijë përfitues.

SHKARKO APP