60 oficerë për sprovën e “makinës së të vërtetës”

E ngjashme me Byronë Federale Amerikane, FBI, Byroja Kombëtare e Hetimit do të hetojë korrupsionin në nivelet më të larta të zyrtarëve. BKH do të përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja do të përzgjedhë ekipin, i cili do të përbëhet nga jo më pak se 60 hetues specialë, të cilët, ndryshe nga eprorët e tyre prokurorë, nuk do t’i nënshtrohen vettingut, por makinës së të vërtetës. Atyre do t’iu monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat përgjatë gjithë kohës, për t’u siguruar se do e zbatojnë me integritet detyrën dhe paanshmëri.

Njoftimi për shprehjen e interesit për hetuesin special e shpalli Këshilli i Lartë i Prokurorëve, në fillim nëntori. Por mungesa e Kreut të SPAK dhe konstituimi i kësaj strukture e lanë pezull procesin.

Ambasada amerikane ka publikuar një video në rrjetet sociale ku sqaron se ajo do të funksionojë si FBI-ja amerikane, për të hetuar krime të nivelit të lartë dhe hetuesit do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia, SHBA. Më tej, thuhet se trajnimi do të mbikëqyret nga një mision ndërkombëtar.

Prokurorët e SPAK dhe hetuesit specialë të BKH, do të kenë mundësi të çojnë pas hetimit persona dhe dosjet ndaj tyre në Gjykatën Speciale. Bosët e krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive do të jenë “ushqimi” i punës së kësaj strukture hetimore. /A2Cnn/

SHKARKO APP