Gjovalin Gjeloshi, 60 vite jetë-40 vjet gazetari

60 vite jetë, 40 vjet gazetari. 

Për kolegun Gjovalin Gjeloshi, në 60 vjetorin e lindjes 

Vlash Prendi

Fran Gjoka

I lindur më 8 shtator të vitit 1960 dhe i mirëshkolluar në të gjitha ciklet, ku dallon ish teknikumi bujqësor amerikan i Golemit të Kavajës, një shkollë që, për nga disiplina u përngjiste shkollave të dikurshme  françeskane shqiptare, emri i Gjovalin Gjeloshit fillon e duket dendur në shtypin shqiptar në mesin e viteve 80-të. Akoma student në fakultetin e Agronomisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës (ish-ILB), ai krahas shkollimit në këtë degë, “ndiqte” njëkohësisht edhe një “fakultet të dytë”, për gazetari, ashtu siç konsideroheshin atëherë dy gazetat e rinisë studentore “Studenti” dhe “Studenti i Bujqësisë”.

Nga “Adriatiku” i Durrësit te “doktori i shkencave”

Gjovalinit, sot një “djalë 60 vjeçarë”, ne realisht duhet t’i urojmë jo vetëm përvjetorin e moshës, por edhe 40 vjetorin e marrjes me gazetari aktive. Faktikisht gazeta e parë që ka botuar informacionin e parë të këtij autori, është gazeta “Adriatiku” e rrethit të Durrësit, kur Gjovalin Gjeloshi ishte vetëm 15 vjeç, nxënës në vitin e parë të teknikumit bujqësor të Golemit. Sekretar i kolegjiumit të “Studentit të Bujqësisë”, qysh në vitin  e tretë të fakultetit dhe kryeredaktor i kësaj gazette, për një periudhë, në vitin e fundit të fakultetit, ai do të bëhej një emër i lakuar në qarqet gazetareske të kohës.

Nuk hasim shpesh intelektualë të tillë që janë dukshëm të arrirë në disa drejtime. Arsimimi bazë i kolegut tonë është Agronomia. Sot emri i Gjovalin Gjeloshit si specialist i kësaj fushe është i lidhur ngusht me një kulturë bujqësore, me një bimë ekzotike, të panjohur deri para 20 vitesh në vendin tonë: aktinidia ose kivi. Duke u marrë intensivisht me këtë frut të radhë, duke qenë i pari specialist që e ka sjellur dhe mbjellë në Shqipëri pas vitit 1990, ai ka ngjitur edhe shkallët e kualifikimit shkencor pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës: masterin shkencor e deri në gradën e “Doktorit të Shkencave” në Hortikulturë. Artikujt shkencor si dhe temat në master e doktoraturë, janë punime origjinale, duke studjuar e dhënë rekomandime për shtrirjen e kësaj kulture bujqësore, kryesisht në Ultësirën Perendimore të vendit tonë si dhe për mënyrat e shtimit dhe prodhimit të fidanave, për mbjellje në zonat tona. Deri tani ka botuar dy libra (njëri me bashkëautor) për këtë kulturë. Librat janë të vlerësuar nga Departamenti i Hortikulturës në UBT dhe janë të kërkuar nga lexuesi i interesuar: amatorët apo kultivuesit e profilizuar të kësaj bime.

Autor shumëdimensional 

“Autor shumëperspektivik”, e ka quajtur Prof. Dr. Dr. Basil Schader, pedagog në Shkollën e Lartë të Cyrihut, i cili ka bashkëpunim më se 25 vjeçarë me Gjovalinin, në fushën e infrastrukturës arsimore dhe të botimeve. Prof. Schader, duke bërë analizën e librit publicistik “Afër dhe larg”, e analizon autorin në disa plane: profesional-bujqësor dhe mbrojtjen e ambjentit; vëzhgues i vëmendshëm i fenomeneve dhe problemeve sociologjike, ekonomike, politike etj, brenda e jashte vendit; si qytetar e politikan-pushtetar vendor me etikë e ndjenjë të lartë përgjegjësie si dhe gazetar dhe autor shumë i zoti i gjuhës shqipe. (Gazeta “Tema”, 10 Maj 2013). Përveç këtyre cilësimeve, z. Gjeloshi ka dhënë kontribut të spikatur edhe në fushën e administrimit të zgjedhjeve. Ai me korrektesën e tij të lartë dhe me dijet e akumuluara në këtë fushë, ka qenë adminstratori i disa palë zgjedhjesh, si të përgjithshme ashtu edhe vendore-administrative. Përvojën në legjislacionin e zgjedhjeve e ka konsoliduar edhe në takime  e kualifikime brenda e jashtë vendit. Shumë e frytshme ka qenë përvoja e tij e fituar në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, ku ai u kthye prej andej me lëndën e një libri, i cili u botua në Shqipëri me financimin e IFES (USAID), një shoqatë zgjedhore që veproi në Shqipëri në përmirësimin e legjislacionit të zgjedhjeve. Libri “Zgjedhjet në Bosnje-Hercegovinë” zbërthen në imtësi një legjislacion mjaft të pëlqyeshëm të konsultuar me organizmat mdërkombëtare, i cili aplikohet në këtë shtet. Duke shkruar parathënien e këtij libri, publicisti Qemal Sakajeva thotë mes tjerash: Si gazetar i njohur për zbulimin  e problemit, trajtimin me kurajo qytetare të tij dhe përcjelljen me këmbëngulje të kumtit për tek të interesuarit, që nga Sarajeva u kthye me një libër të vlefshëm, “Zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë”. Tema e zgjedhjeve ka qenë, për gazetarin dhe komisionerin zgjedhor, një temë e trajtuar gjerësisht në shtypin shqiptar. Gjejmë me shumicë artikuj të kësaj natyre të botuar prej tij, në gazetën “55”, gazetën “Tema”, “Koha Jonë”, revista “Izbor” në Sarajevë etj.

-Kur Gjovalini pati ardhur në gazetari, shkruan Qemal Sakajeva, ish-zëvëndëskryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, nuk u mor për reportazhin, por për problemin. Tek shkrimet e para të tij hetohej që,  vlerë bazë kishte rëndesën e përmbajtjes, shfaqte bindshëm materie, dmth kishte lëndë. (Gazeta “55”, 4 maj 2013).

Por me kohën, ai jo vetëm lëvroi me sukses edhe reportazhin e gjini të tjera të publicistikës, por u bë edhe autor librash publicistik e të zhanreve të ndryshëm. Shkrimet e tij janë të mbarsuara me fakte, me analizë që shkruhet rrjedhshëm dhe që lexohet me endje e pa ndalesë. Në veçantitë e reportazheve të Gjovalin Gjeloshit, shkruan Prof. Schader, llogaritet si tipar kryesor, multiperspektiviteti i tyre, i cili njëkohësisht, i bën aq tërheqëse dhe interesante në pikpamje të ndryshme. Ndërsa Sakajeva i cilëson reportazhet e këtij autori “me një tematikë mjaft të gjerë, me problematikë të pasur, deri shumë të pasur; përmbajtja e tyre peshon, sepse është e ngjeshur me mendim dhe informacion të përzgjedhur, herë-herë e ngjyrosur me fakte gadi të pabesueshme; nëpër faqet e tij, shpërfaqet kultura e autorit”.

Kolegu ynë, mund të themi me bindje se e njeh tekstin. Ai planifikon kur shkruan. Më mirë të themi, shkruan vetëm kur ka me thënë diçka. (Natyrisht kur gazetari nuk ka normë nga shefi). Është i qartë në mendim e në gjuhë, nuk mendon se lexuesi ka dijeni për ato që po shkruan, sigurohet që fjalitë të jenë të pastra dhe i ruhet ndërlikimit të gjuhës e të të shkruarit. Gjovalini nuk shkruan me klishe. Në shkrimet e tij gjenë me shumicë krahasime, metafora e mjaft shprehje të reja, dëshmi e një gazetari që, përpara se të shkruaj, lexon. Është me vend të sjellim këtu, thënien e poetit Ndoc Gjetja: Gjovalin Gjeloshi shkruan me shpirt e me dashuri. Edhe idhtë, por nuk bën armiq…ka aq shpirt në librin “Brezni të Kelmendit”, sa mua më ka prekur shumë. (Lissalba, Tetor 2006).

-Ajo që më tërheq mua [te Gjovalini] si lexues, por edhe si gjuhëtar – shkruan Akademik Gjovalin Shkurtaj, është mënyra moderne e të qasurit ndaj shqipes standarte, e cila tashmë në penën e këtij gazetari e shkrimtari, na shfaqet jo vetëm krejt e zotëruar, por edhe e përpajnuar me mjeshtri, por edhe me disa elemente të bukura veriore, me toponime e antroponime të qëmtuara me kujdes e të përdorura me vend, të cilat shërbejnë në indin e veprës, si kripa e piperi në gjellë….(Gazeta “Nacional”, 10 prill 2016).

Sot në 60 vjetorin e lindjes, Gjovalini (me bashkëautor Gjergj Shytin) sapo ka nxjerrë nga botimi librin e tij të tetë. Zhanret e librave janë të ndryshëm, nga ato të gjinisë së monografisë, publicistikës, historisë, historiko-gjenealogjik si dhe libra teknik-profesional të agronomisë. Autorin e ndihmon shumë profesioni i gazetarit, teknika e të shkruarit, gjetja e faktit, hulumtimi i përtejmë i tij, analiza konçize pa ujë e fraza të tepërta. Gjovalini shkruan vetëm për atë që di se është e vërtetë dhe nuk i frynë kurrë gjërat. Po të vështrojmë librin e fundit, duket “dora” e tij te referencat e shumta dhe serioze që janë përdorur, për të bindur lexuesin për të vertetën që po shkruhet.

Po i rikthehemi përsëri z. Shkurtaj, për atë që pohon se: “më pëlqen shumë mënyra se si e kundron ky gazetar realitetin shqiptar, në krahasim e përqasje me botën e jashtme, duke i ngjeshur shënimet e tij të udhëtimit, përshtypjet dhe mbresat nga vende të zhvilluara dhe ekzotike, me imtësi dhe mendësi të botës sonë (herë-herë mbarëshqiptare, herë-herë edhe krahinore, ndonjëherë edhe malësore) dhe më duket ndoshta gazetari më i prirur për të dhënë në një përshkrim të ngërthyer e organik, të dy anët e kundrimit: të largëtën dhe të afërmen, të huajën me tonën, perëndimoren apo edhe orientalen me mjediset tona shqiptare e ballkanike.

Në foto: Gazetari Gjovalin Gjeloshi

Politika e ndryshon intelektualin, vetëm kur ky don vetë të përdoret prej saj 

Ata që e njohin Gjovalin Gjeloshin, e dinë se ai është pjesë e politikës aktive qysh në ditët e para të lëvizjes demokratike. Më 31 mars të vitit që vjen, rrumbullakosen plot 30 vjet nga dita e kandidimit të pare, si deputet për subjektin zgjedhor, Partinë Demokratike. Nga ajo kohë e deri më sot ai, si pak kush në këto vite, është karakterizuar nga një qëndrueshmëri konstante dhe “nuk ka kthyer asnjëherë të vetme kurrizin, nga ka fry era”. Njëherazi me kandidimin për deputet, ai ishte edhe gazetar efektiv në të parën gazetë opozitare “Rilindja Demokratike”, si korespondent që mbulonte të gjithë zonën e Veriut.

Dikush thotë se, intelektuali që merret me politikë, humbet diçka nga vetja për ta bashkuar mendimin me atë të tjerëve, edhe kur problemet, sipas atij, nuk shkojnë mirë. Si me thënë, “nuk duhet të ecësh kundër rrjedhës, qoftë edhe e gabuar”, – është parimi i sotëm i politikanëve që bëjnë pjesë në një grupim politik dhe  duan të kenë një jetë të rehatshme, pa i rënë ndesh “shefit” në asnjë rast. Por ndryshon puna te Gjovalini: pavarësisht pozicionit politik, ai ka ruajtur gjithmonë integritetin dhe personalitetin e tij. Nuk e ka vlerësuar politikisht shoqërinë dhe nuk ka bërë dallime, duke vlerësuar profesionalizmin dhe aftësinë e secilit. Në funksione drejtuese ekzekutive lokale dhe rajonale që ka patur për vite të tëra: si shefi i seksionit të bujqësisë në komitetin ekzekutiv pluralist të Lezhës, kryetar komune, zëvëndëskryetar i këshillit të qarkut, sekretar i përgjithshëm i prefekturës etj, ka lënë gjurmë dhe emër të mirë tek njerëzit dhe bashkëpunëtorët e tij. Ka ditur të vlerësojë të mirën dhe pozitiven dhe ka qenë një intelektual bashkëkohor: larg  fodullëkut e paaftësisë, i ndershëm dhe produktiv në punë. Kush ka punuar me të, nuk mund të thotë ndryshe, veçse: një njeri korrekt e gjithëpërfshirës, që e njeh deri në imtësi institucionin dhe punën e shtetit.

Gjovalini nuk flet për hatër të kryetarit të partisë apo deri kryeministrit, qoftë ai, në rast se e vlerëson si jo të drejtë, vendimin që ka marrë apo detyrën që i ngarkon ky i fundit. Gjatë të gjithë kohës që ai ka kryer detyra të pushtetit, ka qenë aktiv në media të shkruara e vizive, duke dhënë kontributin e tij në çështje e probleme sociale, ekonomike etj. Dhe nuk ka këqyrë se kush e ka pushtetin në Tiranë: Meksi, Berisha, Nano apo Rama. Dhe natyrisht, është dhuntia prej një gazetari mendjemprehtë e syvëzhgues, ajo që e shoqëron, si pjesë e pandarë e aktivitetit të tij politik e ekzekutiv. Në këto tematika bëjnë pjesë shkrimet e tij më të mira në gazetën “55”, “Dita”, “Tema”, “Koha Jonë”, intervista televizive etj.

Ai ka qenë e vazhdon të mbetet një zë original  në Partinë Demokratike, larg fraksioneve e grupimeve që luajnë për interesa të ngushta personale, i pakonkurueshëm në qëndresën e tij dhe kritik i qeverisjes së djeshme (por edhe të nesërme) të partisë ku ai bën pjesë.

Gazetar, redaktor dhe drejtues mediash 

Në përvjetorët e lindjeve, përveç urimit “Edhe 100”, duhet të bëjmë edhe njëfarë bilanci të arritjeve. Si gazetar, Gjovalin Gjeloshi ka lënë gjurmë gjatë 40 viteve. Në gazeta të tilla si: “Studenti i Bujqësisë”, “Bashkimi”,”Koha Jonë”, “Rilindja Demokratike”, “55” dhe “Tema” (renditja është bërë në kohë), ka qenë drejtues, gazetar efektiv apo bashkëpunëtor për një periudhë të gjatë. Bashkëpunim të gjatë botues ka pasur edhe me Shtëpinë e Propagandës Bujqësore në Tiranë. Përpara vitit 1990, emrin e tij e ndeshim edhe te gazeta “Zeri i Popullit” dhe “Luftëtari”, ashtu siç e hasim pak edhe gjatë kësaj kohe te “Shqip” dhe “Sot”. Bashkëpunoi për një kohë me gazetën “Dita”, pas vitit 2001 dhe ka botuar shkrime problemore në “Koha Jonë”, “Shqipëria Etnike”, “Bota e Zgjedhjeve” dhe “Agrobiznesi”. Ka botuar në “Koha Javore” dhe në revistën “Zani i Shna Ndout”, periodikë shqip që dalin në Malin e Zi; në revistën “Izbor” (Zgjedhjet) në Bosnjë dhe Hercegovinë; në revistën “Kuq e Zi”, në Bruksel dhe në revistën “Dielli Demokristian” që botohet prej shqiptarëve në Vjenë. Askund nuk është refuzuar. Shkrimet e tij, e sfidojnë redaktimin.

Për të qenë sa më i lirshëm dhe i pavarur, për të thënë fjalën e tij të pacensuruar prej asnjë botuesi, nga 1992 e deri më 2020, ai themeloi e drejtoi tre gazeta lokale: gazetën “Shpresë” (së bashku me Frano Kullin), në periudhën 1992-1993, si botim të degës së PD-së së Lezhës, por që pati një platformë të pavarur  e të larmishme; në periudhën 1995-2000, gazetën “Drini” si botim periodik-informativ të komunës Balldre dhe gazeta e fundit e titulluar përsëri “Drini”, si organ me tematikë bujqësore-problemore, jo vetëm lokale, por edhe kombëtare. Kjo gazetë në trajtën e një reviste modeste për nga paraqitja grafike, u botua në periudhën 2016-2018 dhe trajtoi tema interesante dhe të guximshme për mbarëvajtjen e bujqësisë shqiptare. Gazeta siguroi bashkëpunëtorë nga e gjithë Shqipëria e deri në diasporë. Ajo për 19 numra me radhë, plotësoi një boshllëk në shtypin e munguar bujqësor në Shqipëri. Njëkohësisht me botimin e gazetës, Gjovalini qe drejtori i Bujqësisë, Pyjeve e Zhvillimit Rural, në bashkinë e Lezhës.

Si redaktor, emri i tij është në libra publicistik, artistik, historik apo memuaristik. Spikatë puna si redaktor në përgatitjen e kolanës së veprës etnografike dhe të kujtimeve të françeskanit nga Tuzi, At’ Kolë P. Berishaj, i ndjerë. Prej vitesh, Gjovalini është kryetar i degës së Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Veriut, në Lezhë si dhe zëvëndëskryetar i Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ).

Këtë shkrim urimi për kolegun tonë, të ndërgjegjshëm se, nëse na lejonte formati i gazetës, kishim prap për të thënë, do ta mbyllim me thënien e profesorit të dëgjuar të gazetarisë, Hamit Boriçit, të shkruar në parathënien e një prej librave të Gjovalinit: “Si një gazetar profesionist, Gjovalin Gjeloshi i ka mbetur besnik stilit të tij të lirshëm e kritik dhe profilit të gazetarit social-ekonomik”.

 

 

SHKARKO APP