68-vjeçari humb jetën në Gjykatë, avokati: Donin ta martonin me zor! Ish-të dashurës i bënin presion

Ilia Drini, 68 vjeç këtë të premte pësoi infarkt në ambientet e Gjykatës së Tiranës. Ai akuzohej nga organi akuzës për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes në dëm të shtetases Ada Xheblati”. Ish-bashkëjetuesja e kishte denoncuar disa herë në polici dhe kishte kërkuar urdhër-mbrojtjeje, por ai e përndiqte dhe e ofentonte me fjalë të rënda në publik, duke i përmendur dhe sëmundjen e Epilepsisë.

Viktima sot do të duhej të takohej me avokatin e tij për datën e gjyqit, ndërsa krejt papritur u ndjek keq dhe ndërroi jetë. Në dosje thuhet se ish-partnerja madje nga dhuna dhe presioni ka tentuar që të vriste veten. Kurse avokati i tij, Ndue Pjetra tha për mediat se i ndjeri rezulton i pandehur që prej 2020. Sipas avokatit, akuza kishte ndryshuar nga ”përndjekje personi” në “shkaktim vetëvrasje” pa u mbajtur seancat përkatëse.

“Nuk duhen shtyrë gjyqet, 3 muaj me radhë. Akuzohej fillimisht për përndjekje, por pastaj për shkaktim vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur në 2020-ën. Ishte e dashura e tij, ose bashkëjetuesja nuk e di shumë mirë, ajo kishte bërë një kallëzim penal e nxitur nga të tjerët që t’i merrte pasurinë. Ai ka nja 3 vjet që jetonte vetëm, ishte profesor i arteve marciale, një njeri shumë i nderuar”, deklaroi avokati i të ndjerit.

Pretendimi i këtij të fundit është se ish-bashkëjetuesja e 68 vjeçarit e “nxitur” nga të tjerët kishte ngritur padi penale ndaj tij për t’i marrë pasurinë. Madje Pjetra thekson se familjarët e saj donin ta martonin me çdo kusht me të. Ish-bashkëjetuesja është 37 vjeç. Në dëshminë e saj, ajo shprehej sesi pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike kishte tentuar të vetëvritej me mbidozë ilaçesh.

“Ata bashkëjetonin në atë kohë, por ajo vuante nga një sëmundje e rëndë dhe në këto kushte e detyruan të bënte këtë kallëzim, ishin intrigat. I bënin presion familjarët asaj”, përfundoi avokati i Drinit.

SHKARKO APP