7 viktima dhe 284 raste të reja me Covid në 24 orë

Rriten frikshëm shifrat nga pandemia e Covid-19 në Shqipëri. Në 24 orët e fundit, betejën nuk e kanë fituar 7 pacientë të prekur nga virusi vdekjeprurës. ”Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me Covid-19, një infermiere 50-vjeçare nga Elbasani një mjek 64-vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare, një 62-vjeçar dhe një 76-vjeçar nga Tirana, një 78-vjeçar nga Fieri, një 81-vjeçar nga Mirdita me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve”,-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Janë kryer 1278 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 284 qytetarë të prekur nga virusi vdekjeprurës. ”119 raste në Tiranë, 29 në Shkodër, 26 në Durrës, 13 në Vlorë, 12 në Pogradec, 11 në Korçë, nga 10 raste në Fier, Elbasan, 9 në Lushnje, 8 në Berat, nga 6 raste në Kavajë, Gjirokastër, Përmet, nga 5 raste në Krujë, Devoll, Sarandë, 4 në Librazhd”. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 285 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Në Shqipëri janë prekur 19729 persona, nga të cilët 8434 janë raste aktive, ndërsa 10808 janë shëruar. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, në 24 orë janë shëruar 103 pacientë, duke e çuar në 10 mijë e 808 numrin total të të rikuperuarve nga fillimi i pandemisë, ndërkohë numri i viktimave ka shkuar në 487.

Mimoza Toska Zoraqi, specialiste e promocionit të shëndetit publik, në Autoritetin Shëndetësor të Tiranës humbi jetën nga virusi vdekjeprurës. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila shkruan se ”Mimoza ishte një zonjë e mrekullueshme, që rrezatonte veç mirësi, forcë dhe optimizëm me buzëqeshjen e saj të pandarë”.

Mamia Majlinda Ilirjani, e cila ishte infektuar me Covid-19 dhe ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Ky lajm i hidhur është bërë me dije përmes një postimi të Urdhrit të Infermierëvë në Shqipëri, të cilët shkruajnë se Majlinda ushtronte profesionin e mamisë pranë Spitalit Rajonal të Qarkut të Elbasanit. Mamia me një eksperiencë 30 vjeçare nuk e ka fituar dot betejën me Covid.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se Covid-19 i mori jetën në moshën 50 vjecare koleges sonë të nderuar Majlinda Ilirjani. Majlinda ushtronte profesionin e mamisë, pranë Spitalit Rajonal të Qarkut të Elbasanit, me një eksperiencë 30 vjeçare. Ndarja nga jeta e koleges sonë është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët e saj, por edhe për kolegët dhe nënave të reja që ajo iu shërbeu me devotshmëri dhe profesionalizëm. Në emër të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë iu shprehim ngushëllimet e sinqerta”, shkruhet në postim.

At Todi Jovani ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare për shkak të Covid-19, i pari prift që humb betejën me pandeminë në vendin tonë.

Statistika (27 Tetor 2020)

Raste të reja ditore- 284
Të shëruar ne 24 orë – 103
Të shtruar në spitale – 285
Humbje jete në 24 orë – 7
Testime ditore – 1278

Testime totale – 119,607
Raste pozitive – 19,729
Raste të shëruara – 10,808
Raste Aktive – 8,434
Humbje jete – 487

Rastet aktive

Tiranë-4302
Durrës-809
Fier-551
Shkodër-521
Korçë-506
Lezhë-387
Elbasan-380
Vlorë-338
Berat-238
Kukës-182
Gjirokastër-128
Dibër-92

SHKARKO APP