70-vjeçari vrau gruan, banorët: Natasha ishte invalide, u masakrua e pambrojtur
Tajar Kazanxhi, 70 vjeç, ka shfaqur pendesë për vrasjen e bashkëshortes, por kjo nuk i vlen për asgjë tashmë. Të premten e kaluar, ai vrau në mënyrë makabre bashkëjetuesen e tij, pas një sherri. Viktima Natasha Karanxhi, u qëllua me sqepar në kokë e pas goditjen ajo ndërroi jetë në spital.
Çifti jetonte në fshatin Plug të Lushnjës dhe banesa e tyre ndodhej afër me atë të vajzës së viktimës, e cila ishte larguar në Greqi. Pas sherreve e deri në kanosje për shkak të xhelozisë e pijes së burrit, 51-vjeçarja është larguar nga banesa bashkëshortore dhe është strehuar te shtëpia e së bijës.
Banorë të lagjes janë shprehur se si burri pinte dhe se ata kishin probleme në çift. “Ai pinte edhe para se ta merrte këtë grua. E para, prandaj e la se ishte pijanec. Kjo e dyta, e shkreta ishte edhe invalide. E mori më qafë”, u shpreh një banore që jeton afër banesës ku ndodhi ngjarja.
Banorët e fshatit Plug shprehen mjaft të revoltuar për këtë krim. “Nuk na ka bërë vaki këtu në fshat një ngjarje e tillë. Aq më shumë të sulmohet e masakrohet një grua invalide, e cila ka qenë në pamundësi për t’u vetëmbrojtur nga burri i saj i alkoolizuar”, shprehen ata.

