75 terrene të reja sportive e kënde lojrash në Tiranë, Veliaj: Nga një kënd çdo muaj

75 terrene të reja sportive e kënde lojrash janë ndërtuar 5 vitet e fundit në çdo zonë të Tiranës, për të nxitur fëmijët dhe të rinjtë drejt aktivitetit fizik, për argëtim, socializim, por edhe një jetë të shëndetshme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fushat e reja të volejbollit, basketbollit dhe minifutbollit tek ish-Fusha e Aviacionit, me të cilat Bashkia e Tiranës i afrohet synimit për ngritjen e 100 mjediseve sportive dhe rekreative në kryeqytet.

“Është një lajm fantastik fakti që, parku 1 kilometër i Fushës së Aviacionit, i ruajtur me fanatizëm nga Edi Rama kur ishte kryetar Bashkie, sot është mobiluar, duke filluar me urbanizimin e rrugëve, blloqet e pallateve, çerdhen, kopshtin, shkollën “Dhora Leka”, por edhe sheshet rekreative. Pandemia na mësoi se aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm, ndaj më vjen mirë që e gjithë zona është e mbushur me sheshe rekreative, si edhe një fushë basketbolli dhe për kalçeto”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi të gjithë prindërit që të nxisin fëmijët t’i shfrytëzojnë sa më shumë këto mjedise, që i bëjnë mirë aktivitetit fizik dhe shëndetit.

“Ftesa për të gjithë prindërit është që t’i mësojnë fëmijët të merren me aktivitet fizik, qoftë në palestër pas shkollës, qoftë në fushat e reja. Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe jam shumë krenar për kolegët në Njësinë 7, që kanë këmbëngulur të vazhdojmë me të njëjtin seriozitet, çdo muaj, nga një kënd lojërash dhe nga një shesh sportiv. Kur dëgjon numrin 75, ndërkohë që kishim zero kënde lojërash, dhe kur kujton se kemi bërë beteja për këndet e lojërave, – me deputetë që vinin me patllake për të shqyer kolovajset, – sot është dita me natën,” u shpreh Veliaj.

Fushat e reja të ndërtuara kanë të gjitha pajisjet e nevojshme sportive, terrene të ndriçuara, por dhe rrethimet përkatëse.

SHKARKO APP