8 fëmijë të shtruar në spitalet Covid, mjekja: Janë me infeksione pulmonare

Numri i të prekurve më Covid në vend ka sjellë edhe rritje të numrit të fëmijëve të hospitalizuar, ndryshe sa ka qenë dy muaj më parë. Në një intervistë për Televizionin Klan, shefja e Shërbimit Infektiv në Pediatri, Gjeorgjina Kuli, thotë se 8 fëmijë janë të hospitalizuar dhe me prekje të pulmonit.

“Janë me infeksionin me forma pulmonare të tij, pra me prekje të mushkërive dhe në disa raste dhe me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, gjë që ndoshta ka rritur riskun dhe ka bërë që këta të kalojnë në një formë të mesme apo të rëndë të sëmundjes. Fëmijen më të vogël e kemi në moshën 2-muajsh dhe kemi moshën më të lartë, 10-12 vjeç për momentin”.

Që prej fillimit të pandemisë, në Shqipëri rezulton një numër i madh fëmijësh të prekur me Covid, por vetëm 47 janë aktivë pozitiv.

“Nga 276, 83% janë krejtësisht të negativizuar, domethënë vetëm 17% e tyre ende janë aktivë dhe me tamponë pozitivë. Por sigurisht që incidenca është rritur edhe në moshat fëminore dhe janë prekur të gjitha grupmoshat, që nga mosha e porsalindur që mund të jenë transmetuar nga nëna, të cilat kanë qenë bartëse të virusit”.

Me nisjen e vitit të ri shkollor dhe virozave të stinës, mjekët rekomandojnë të tregohet më shumë kujdes nga prindërit dhe t’u masin përditë temperaturën fëmijëve. Për të shmangur përhapjen e virusit dhe rëndimin e gjendjes së fëmijëve, ata duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me mjekët e poliklinikave./ tvklan.al

SHKARKO APP