8 Marsi/ Xhaçka me gratë dhe vajzat ushtarake: Jeni shembull i përkushtimit për familjen e vendin
Në një takim të zgjedhur me gratë dhe vajzat në uniformë, ku merrnin pjesë edhe ambasadorët e vendeve të NATO-s të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vlerësoi rolin e gruas në shoqëri, duke veçuar sakrificën e grave dhe vajzave ushtarake. “Të gjitha ju, jeni të admirueshme të dashura, gra e vajza! Jeni shembulli frymëzues, për modelin që jepni dhe dashurinë që dhuroni me përkushtimin për ta dashur e mbrojtur Shqipërinë tonë, për të mbrojtur lirinë dhe paqen e vendeve, ku ju, shpesh angazhoheni në misione, larg familjes.”-u shpreh ministrja Xhaçka, e cila theksoi edhe rolin e çdo gruaje për më shumë të drejta. “Detyrimi im, detyrimi ynë është disafish karshi jush. Misioni ynë do të jetë i paplotë nëse nuk lobojmë fuqishëm për të drejtën e gjithësecilës për të qenë kudo e suksesshme, edhe ndër radhët e Forcave të Armatosura.”
![]()
Gjithashtu ministrja Xhaçka u shndërrua në zërin e disa nga grave dhe vajzave ushtarake shqiptare, të cilat pavarësisht vështirësive, përmes sakrificave, kanë arritur t’ia dalin mbanë. “Sot, simbolika e kësaj dite është shumë e fuqishme, për të bashkuar mendjen, zërin dhe forcën tonë, për t’u dhënë zë të gjitha grave, kudo qofshin ato.
Veçanërisht sot, do të doja të isha zëri i Vehbies, i Vehbie Kurtit, e cila ndodhet sot këtu në këtë takim, mes 400 grave e vajzave. Vite më parë ajo erdhi nga zonat e largëta të Peshkopisë për tu anëtarësuar në Forcat e Armatosura e për të na përfaqësuar denjësisht edhe në strukturat e NATO-s.
Do doja të isha zëri i Majore Merita Allmuçës, e cila përballon e vetme jetën me dy fëmijët, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit;
Do doja të isha zëri i nënkolonele Arta Drizës, nënës shkodrane të tre fëmijëve, që krahas misionit të saj si ushtarake, na ka nderuar me përfaqësimin cilësor të saj, si shahiste në disa aktivitete ndërkombëtare.
![]()
Do doja të isha zëri i Enkelejda Tyrkut, që ia la foshnjën prindërve të për të kontribuuar pranë strukturave të NATO-s për paqen në Afganistan.
Do doja sot të isha zëri edhe i më shumë se 1 mijë e 300 grave e vajzave të Forcave të Armatosura, të cilat çdo ditë luftojnë mes misionit të të qenit grua e nënë, mes kufizimeve e sakrificave të profesionit,në emër të sigurisë së familjeve të tyre e të mijëra familjeve shqiptare e jo vetëm.”
![]()
Të pranishmit i përshëndeti edhe gruaja e parë gjenerale në Forcat e Armatosura, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Manushaqe Shehu, e cila inkurajoi gratë dhe vajzat për të ecur përpara dhe për të bërë karrierë në FA.
Në aktivitet foli edhe ushtare e tretë Kristina Dajko, e cila është bërë vitet e fundit pjesë e Forcave të Armatosura, çka tregon për mjedisin miqësor që është rikrijuar tashmë në strukturat ushtarake shqiptare, edhe për gratë e vajzat.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ministrja Xhaçka u kujdes t’u dhuronte nga një lule me urimin përkatës mbi 1300 grave dhe vajzave që shërbejnë në Forcat e Armatosura Shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

