80 shqiptarë të burgosur në kampin Al-Hawl në Siri, me sytë nga Rama
Në kampin Al-Hawl në Siri, mendohet se janë 80 shqiptarë të burgosur, mes tyre 50 gra dhe fëmijë e që sytë i kanë nga shteti, pasi situata aty është shumë kritike për jetën e tyre. Disa prej tyre kanë lindur në Siri. Dylber Shuli nga Pogradeci kërkon nga shteti t`i kthejë 5 nipërit e mbesat, pas vrasjes së djalit dhe nuses. Tahir Balliu ka humbur kontaktin me të vëllain në Siri. Ai tregon se nipin e mashtruan duke i premtuar studime.
“Kam ardhur për vëllain tim dhe për nusen e vëllait. Kanë ikur në Siri sepse djali i tyre iku për studime dhe u plagos atje. Ata vajtën atje. Pasi vajtën atje djali vdiq, ata ngelën atje. Me vëllain kam një vit që e kam humbur kontaktin, ndërsa me nusen e vëllait komunikojmë nëpërmjet letrave, telefonave, flasin fëmijët. Nuk kanë qenë për të luftuar se nuk kanë pasur edhe moshën. Po kanë vajtur për djalin. Madje djalin e mashtruan ata se pati bërë kërkesë për të vajtur me studime në Arabinë Saudite. Kam vajtur tek ministria e jashtme më dha një kod ai tha me këtë mund të flisni, për kthimin e këtyre, ajo nuk më doli fare. Ministri nuk merret me këto punë tha, ka punë politike”, theksoi Tahir Balliu.
Në vitin 2015, qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm u krijua për të trajtuar shfaqjen e ekstremizmit të dhunshëm tek shtetasit shqiptarë që u bashkuan në radhët e organizatave ekstremiste në konfliktet në Lindjen e Mesme vitet e fundit, duke përfshirë të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri dhe Irak (ISIS). Familjarët, shoqëria civile dhe organizata të ndryshme joqeveritare në kohë dhe forma të ndryshme kanë kërkuar rikthimin e grave dhe fëmijëve që janë bërë pjesë e konfliktit të armatosur në Siri.