9 muaj në izolim, Berisha pret nesër ”fjalën e fundit” nga SPAK
Sali Berisha është në 24 orët e fundit të një pritje për të mësuar se çfarë do të vendosë SPAK-u për të, pasi vendimi prek edhe rrugën që do të ketë PD për zgjedhjet parlamentare në 2025. Sipas SPAK, nga karrigia e kreut të qeverisë, Sali Berisha kishte miratuar ligje dhe akte nënligjore që i kishin hapur dritë jeshile dhe favorizuar privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku mes anëtarëve të ish-pronarëve përfitues ishte edhe Malltezi.
Më 30 dhjetor 2023 gjyqtarja Irena Gjoka vlerësoi se masa duhej ashpërsuar dhe urdhëroi dërgimin e ish-kryeministrit në “arrest shtëpie”. Në të njëjtin vendim gjykata i pengonte atij komunikimin me persona të tjerë përveç familjarëve. Berisha iu bind vetëm izolimit në shtëpi. Nga dritarja e banesës së tij ai nisi një maratonë fjalimesh, që ndiqeshin nga dhjetra mbështetës në rrugicë.
Sali Berisha nuk e ka ndalur aksionin e tij publik politik. Prej gati 9 muajsh të vetmet orë lirie i ka shijuar paraditen e 23 janarit, kur ishte në SPAK për të dhënë deklarime. E dyta mundësi për të dalë nga shtëpia, ende pa i ndryshuar masa e sigurisë është kjo e mërkurë, kur pritet të paraqitet në SPAK për t’u njohur me përfundimin e hetimit ndaj tij dhe nëse do të merret apo jo i pandehur nga Struktura e Posaçme.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të organizojë një protestë nesër (e mërkurë) përpara ambienteve të SPAK, ditë që përkon me paraqitjen e Sali Berishës, i thirrur nga SPAK. Është një mesazh i shkruar nga Flamur Noka, që sot i është nisur demokratëve:”Ditën e Mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD, prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtsisë”, është mesazhi.