900 vatra zjarri dogjën Shqipërinë, 280 rrezikuan jetën e qytetarëve
Emergjencat civile e kanë konsideruar situatën që u regjistrua në Shqipëri përgjatë muajve të verës me zjarret që shpërthyen në shumë zona të vendit si të paprecedentë. Në një raport të veçantë, ky institucion tha se në mbarë vendin kishte rreth 900 zjarre të shkaktuara kryesisht nga temperatura ekstreme dhe thatësirat.
“Mbi 900 zjarr janë regjistruar, nga ato më të vogla deri tek ato më masive. 500 prej këtyre zjarreve janë menaxhuar nga strukturat e brendshme të shërbimeve të zjarrfikësve. Mbi 280 vatra zjarri ishin një kërcënim real për jetën njerëzore, pronat dhe mjedisin, duke kërkuar mbështetjen e strukturave operative të qeverisë qendrore”, tha Shemsi Premci, kreu i Emergjencave Civile.
Ndërkohë, 8 vatra zjarri u regjistruan të hënën në rrethet e Shkodrës, Lezhës, Fierit, Dibrës, Elbasanit, Vlorës dhe Korçës.
Bazuar në këtë situatë, përveç rritjes së kapaciteteve mekanike dhe njerëzore, Emergjencat Civile kanë kërkuar gjithashtu që shërbimi shqiptar i zjarrfikësve të transformohet si shërbimet e tyre homologe në Europë.

