91 kilometra me not nga Otranto në Vlorë, avokatja: Do arrij tokën e gjyshit
Eva Buzo, avokatja shqiptaro-australiane që ka vendosur të përshkojë me not distancën prej 91 km Otranto-Vlorë. Ajo zbuloi se është përgatitur për këtë sfidë që mund të zgjasë nga 35-40 orë. Buzo theksoi se do t’i përmbahet të gjitha rregullave, që përfshijnë qëndrimin larg varkës si dhe mos pajisjen me kostum noti apo anti-peshkaqen.
“Po përgatitem prej një kohe të gjatë. Kam menduar për vështirësitë, por kur e mendoj sa i bukur është deti, sa bukur është të notosh, sa e lumtur do të jem kur të arrij tokën. Sidomos kur noton gjatë natës dhe sheh kur lind dielli është shumë bukur. Kur e mendoj se ç’ do te ndodhë nesër, kam vetëm emocione pozitive. Falë kësaj eksperience do lidhem me të shkuarën time, në origjinën time dhe kjo më mbush zemrën”, tha Buzo.
Eva Buzo po ashtu tregoi se një pjesë e mirë e familjarëve dhe fisit me origjinë shqiptare do jenë duke e pritur në Vlorë. Vlen të përmendim se ajo do të jetë e para grua që do të bëjë këtë distancë me not nëse arrin që ta realizojë me sukses.