93% e qytetarëve kërkojnë ashpërsim të ligjeve: Ka ende kriminelë në politikë

Pesë vite pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, një anketim tregon se 52% e të pyeturve mendojnë se të inkriminuarit nuk janë shkurajuar nga të qenit pjesë e politikës. Të anketuarit e Institutit të Studimeve Politike, ngarkojnë me përgjegjësi direkte kryetarët e partive për futjen në politikë ose emërimin në poste publike të individëve të inkriminuar.

Në një kohë kur shqiptarët do të shkojnë drejt kutive të votimit më 25 prill, në përgjigjet e qytetarëve të anketuar, 37% e tyre mendojnë se legjislacioni dhe procesi i deritanishëm i dekriminalizimit nuk e ka parandaluar ende financimin elektoral, nga individët e inkriminuar dhe të “fortët”.

Nga viti 2015 deri në shtator 2020, bilanci i dekriminalizimit është ky: 9 deputetë humbën mandatet, 3 kryetar bashkish, 183 këshilltarë bashkiak u shkarkuan apo u larguan me dëshirë përfshi 165 zyrtarë lokal. Ndërsa 195 punonjës të administratës publike humbën vendet e punës.

Më shumë se 76% e ekspertëve dhe 93% e qytetarëve të pyetur, kërkojnë ashpërsim të legjislacionit për dekriminalizimin duke kërkuar ndalimin përjetë në përfshirje politike të atyre me të shkuar kriminale.

SHKARKO APP