93 raste të reja dhe 6 viktima nga koronavirusi. 227 të shëruar në 24 orë

Është rikthyer bilanci ku kemi më shumë të shëruar se raste të reja. Dr.Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë, në një deklaratë për shtyp, bëri me dije se në 24 orë janë shënuar 93 raste të reja dhe 227 të shëruar por fatkeqësisht betejën nuk e kanë fituar 6 pacientë. ”Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet Covid, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 63-vjeçar nga Lezha, një 67-vjeçare dhe një 70-vjeçare nga Tirana, një 70-vjeçar nga Librazhdi, një 72-vjeçar nga Kukësi dhe një 88-vjeçar nga Dibra. I shprehim ngushëllimet familjarëve”.

Nga ana tjetër, Beqo tha se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 812 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2 dhe 93 persona janë konfirmuar pozitivë me Covid-19. ”Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 42 raste në Tiranë, 7 në Fier, 6 në Lushnje, 5 në Malësi e Madhe, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Korçë, Mirditë, 3 në Kavajë, nga 2 raste në Elbasan, Has, Vlorë, Librazhd, Gjirokastër, nga 1 rast në Devoll, Kamëz, Mat, Përmet”.

Për bilancin e të shtruarve në spitalin Infektiv dhe ”Shefqet Ndroqi”, Beqo tha se po trajtohen 182 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 23 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar. ”Ju informojmë se në dy spitalet Covid janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 41 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me Covid-19 dhe aktualisht janë negativizuar por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”.

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ajo tha se i bën apel qytetarëve për zbatimin me rigorozitet të masave të distancimit fizik, ruajtjen e higjienës dhe vendosjes së maskës me detyrim në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk mund të ruhet distanca.

”Maska është e detyrueshme edhe në shkolla, për mësuesit, të gjithë personelin si dhe nxënësit e ciklit të lartë 9-vjecar, ndërsa për nxënësit e ciklit të ulët maska në klasë është e rekomandueshme ndërsa është e detyrueshme në të gjitha ambientet e tjera të shkollës. Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve detyrimin për zbatimin e karantinës në rast se jeni të prekur nga Covid-19. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid-19”.

COVID-19 – Statistika (1 Shtator 2020)

Testime totale 63649
Raste pozitive 9606
Raste të shëruara 5441
Raste aktive 3875
Humbje jete 290 (Qarku Tiranë 135, Durrës 40, Shkodër 36, Elbasan 17, Fier 14, Korçë 12, Lezhë 11, Kukës 7, Vlorë 6, Dibër 6, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2027
Durrës 513
Shkodër 290
Lezhë 196
Korçë 163
Elbasan 135
Fier 135
Kukës 132
Vlorë 125
Berat 81
Dibër 41
Gjirokastër 37

SHKARKO APP