95 viktima nga Covid-19, korriku muaji më i rëndë në Shqipëri

Muaji korrik rezulton muaji më i rëndë i pandemisë së Covid-19 në Shqipëri me 95 viktima (60% e totalit) dhe 2,741 raste (51% e totalit) duke tejkaluar të gjitha shifrat e 4 muajve të tjerë që patën 2,535 raste dhe 62 viktima. Mesatarisht gjatë muajit korrik pati çdo ditë nga 3 viktima, 88 raste të reja dhe 48 të shëruar.

Aktualisht mbeten 2,167 persona ende mbartës të virusit, ose siç thuhet në zhargonin mjekësor “raste aktive”. Pjesa kryesore janë në Tiranë (1,191) e Durrës (256), Shkodër (209) ndërsa shqetësuese është situata edhe në Vlorë (94), Fier (83) Lezhë (82), Kukës (65) dhe Korçë (60).

Prej nisjes së pandemisë autoritet kanë kryer 36,993 teste me tamponë dhe 4,206 teste serologjike. Shqipëria mbetet vendi që kryen më pak teste në rajon me një statistikë prej 13,200 testesh për çdo 1 milionë banorë, 8 herë më pak se Serbia dhe 4 herë më pak se Maqedonia e Veriut.

SHKARKO APP