A do ketë zgjedhje vendore në pranverë të vitit të ardhshëm?
-Nga Herion Mesi-
Edi Rama mori zgjedhjet me 25 prill. Tani ka filluar takime ndërkombëtare dhe po luan në terrenin europian me synimin e rritjes së prestigjit të Shqipërisë në arenën e Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Me Presidentin turk e ka grurë, me kryeministrin greke luan me kujdes, pasi grekët përherë e fshehin qëllimin edhe kur të fërkojnë shpinën, me Albin Kurtin ka muaj mjalti, kurse me presidentin Vuçiç luajnë shah me Ballkanin Perëndimor. U takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit Blinken dhe për momentin ka kuotat lart në diplomaci. Ndërsa në situatën e brendshme në vend ndodhet përballë një opozite pa strategji dhe e përçarë. Qeverinë e re e bën në shtator me një parlament të ri e paksa problematik ndaj do hedhë “kocka” me mish në fushën e PD nga muaji tetor i këtij viti. Bashkëqeverisje do të ishte ideale për PS dhe Ramën, por duket se nuk do të ndodhë kaq shpejt, sepse Lulzim Basha ndodhet mes një presioni të jashtëzakonshëm brenda partisë dhe nga populli opozitar, që u zhgënjye nga 25 prilli. Ndaj Edi Rama, sipas inforamcionëve të besueshme, do të gjejë një udhë kompromisi që të hedh paksa pushtet nga supet e tij, duke e çuar vendin në zgjedhje vendore të parakohshme në pranverë të vitit të ardhdhëm. Kjo do ç’tensionojë disi situatën, por edhe largon Lulzim Bashën nga presioni gjithnjë në rritje për protesta të dhunshme kundër qeverisë, por që duket se lideri demokrat nuk i ka me shumë qejf, aq me tepër që tani mori mandatin e tretë.
Hedhja në tryezë e zgjedhjeve vendore mbetet një zgjidhje e drejtë, ndonëse lojë finoke e kryeministrit, porse dihet se si janë marrë bashkitë pa parti konkurente dhe nuk ka se si të pranohet nga një opozitë që ka gati 50 % të popullit pas vetes. Por vendimi për zgjedhje vendore në pranverë 2022 zgjidhë edhe ngërçin në bashkinë e Shkodrës, të Durrësit, Vorës apo ndonjë bashki tjetër. Me këtë rast heq qafe edhe kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli i cili i ka dalë nga radhët dhe po e sfidon hapur kryeministrin Rama. Edhe dje kryebashkiaku vlonjat nxori një shkresë ku bënte presion këshillit bashkiak që do mblidhej pa mirëkuptimin e tij, ai deklaroi se do ti gjobiste me 50 milionë lekë gjobë nëse shkelin rregullat antiCovid. Ky veprim e ka acaruar mjaft kryeministrin. Një mënyrë mbetet që e largon në pranverë 2022.
Pra kryeministri Rama jep një dorë Lulzim Bashës, me një grusht godet edhe kryebashkiakun e Vlorës si dhe mbush vakumet në Durrës, Vorë dhe Shkodër.
Me këtë rast nëse opozita përbashkohet rrezikon të fitojë ndonjë bashki kryesore, por nëse LSI futet veçmas në çdo bashki, atëhere PD rrezikon të marrë vetëm një bashki në Shkodër, pasi të tjerat prapë i fiton PS, sepse votat e LSI çojnë ujë të PS. Një hakmarrje e pamëshirshme e LSI për atë që i bëri PD në fushatën elektorale të 25 prillit.
Në të gjitha variantet që mund ta dalin gjatë lojës së zgjedhjeve vendore, prapë duket se fiton PS dhe Rama. Lëshon pushtet dhe bën mirë. Krijon ura bashkëpunimi me opozitën si dhe nga sherret në opozitë mund të përfitojë prapë ato që kishte!
Gjithsesi Edi Rama luan qetë, tashmë.