A do paguhet me lekë në dorë? Qendrat tregtare në Shqipëri duhet t’i përmbahen këtyre rregullave
Nga fillimi i javës që vjen, e hënë 11 maj do të hapen qendrat tregtare ndërsa në platformën “e-Albania” është publikuar protokolli i masave higjieno-sanitare si dhe rekomandimet për qytetarët që do t’i frekuentojnë ato. Udhëzimet do të ndihmojnë në parandalimin e ekspozimit ndaj COVID-19 në qendrat tregtare.
Sipas protokollit, një vizitor mund të qëndrojë vetëm për maksimumi 2 orë dhe qendra nuk duhet të lejojë qytetarë më shumë se 50% e kapacitetit të saj në të njëjtën kohë. Qendra tregtare duhet të informojë paraprakisht vizitorët për limitin e fashës orare dhe kapacitetet që qendra tregtare duhet të ketë gjatë kësaj periudhe.
Qendra tregtare duhet të ketë dyer elektrike, duhet të përcaktojë vetëm një hyrje dhe një dalje, pra lëvizje e vizitorëve vetëm në një drejtim. Të gjitha pikat e hyrjes në qendër duhet të jenë të hapura për të siguruar kalimin e vizitorëve në korridorin e sigurisë, i cili duhet të jetë me shenja të dukshme në dysheme.
Qendrat tregtare do të kenë një plan veprimi për higjienën dhe dezinfektimin. Të gjitha qendrat tregtare do të kenë një dhomë izolimi mjekësor për qëllime urgjente në rast se dikush në qendër dyshohet se është i infektuar nga virusi.
Sipërfaqet me nivel ndotjeje apo prekje të lartë duhet të pastrohen shpesh me dezinfektantë, si shkallët elektrike, butoni i ashensorit, tualetet etj. Lejohet të përdoret ashensori, por jo më shumë se 30% e kapaciteteve të tij. Qendra tregtare dhe dyqanet duhet të promovojnë pagesat me kartë por nuk përjashtohet pagesa “cash”. Shërbimet tregtare me tavolina apo shërbim në këmbë, nuk lejohen gjatë kësaj periudhe në ambientet e brendshme të qendrës tregtare.
Protokolli jep udhëzime për administratorin e qendrës tregtare dhe për subjektet në qendër për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nëse një ndër punonjësit shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të karantinohet në një ambient të veçuar të objektit derisa të merren masat përkatëse nga shërbimet shëndetësore. Asnjë person me temperaturë 37,5 nuk duhet të lejohet të hyjë në subjekt. Çdo punonjës që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë subjektin pronar. Punonjësi duhet të telefonojë 127 dhe mjekun e familjes.
Vajtja dhe ardhja në punë në këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra dhe jo duke krijuar grupime. Për lëvizjen me automjet të zbatohen masat e publikuara nga Policia e Shtetit. Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metra midis personelit të punësuar dhe këtyre të fundit e klientëve dhe i shërben vetëm një klienti në ambient, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në radhë me distancë 2 metra nga njëri-tjetri.
Në ambientet më hapësirë mbi 30 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti, duke orientuar klientët në ruajtjen e distancës. Jashtë vendosen shenjat identifikuese të radhës për hyrje në ambient, ose mund të vendoset një punonjës për të drejtuar hyrjedaljen e klientëve. Në arkë vendoset shenja identifikuese e distancës klient-arkë.
Prova e rrobave në kontakt fizik direkt me lëkurën duhet evituar. Prova rekomandohet të kryhet mbi rrobat ekzistuese kur është e mundur. Pas blerjes rroba duhet larë patjetër fillimisht e pastaj duhet veshur. Në rekomandimet për vizitorët në qendrën tregtare për parandalimin e përhapjes së COVID-19 thuhet që vizitorët duhet të shkojnë në një qendër tregtare vetëm atëherë kur është e nevojshme. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrolleve të temperaturës në hyrje të qendrës dhe duhet të kenë vendosur maskë. Në qendër tregtare nuk do të ketë parkim me “shoqërues parkimi”.