A duhet Rama të ndryshojë qeverinë pas dorëheqjes së Evis Salës?
Dorëheqja e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, nuk është domosdoshmërisht vetëm një vend bosh në kabinet që duhet plotësuar. Ajo mund të jetë momenti që kryeministri Edi Rama të shohë më gjerë dhe të pyesë veten nëse qeveria që ka sot është qeveria që i duhet për betejat politike që e presin.
Sala u largua më pak se një vit pasi mori detyrën, duke deklaruar se ka pranuar angazhime ndërkombëtare në fushën e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.
Por koha kur ndodh dorëheqja është politikisht interesante. Ajo vjen vetëm pak përpara mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, ndërsa në media kanë nisur menjëherë diskutimet nëse largimi i Salës do të pasohet nga ndryshime të tjera në kabinet. Dhe ndoshta duhet të pasohet. Sepse Shqipëria e shtatorit 2026 politikisht nuk është ajo e një viti më parë.
Prej muajsh vazhdon protesta kundër qeverisë. Madje protesta e fundit para Kryeministrisë përfundoi me tensione dhe arrestime, duke treguar se klima politike po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Pavarësisht se çfarë mendon qeveria për protestuesit dhe pavarësisht gabimit të rëndë të atyre që zgjedhin dhunën, një qeveri serioze duhet ta lexojë politikisht çdo pakënaqësi që shfaqet në rrugë.
Por ka edhe një arsye tjetër shumë më pragmatike. Përpara janë zgjedhjet vendore. Ato do të jenë testi i parë i madh politik për Partinë Socialiste pas gjithë kësaj periudhe të trazuar. Dhe në zgjedhje nuk mjafton administrimi. Duhet politikë. Këtu qëndron edhe problemi i kabinetit aktual të Ramës.
Kryeministri vazhdon të jetë politikisht shumë më i ekspozuar se ministrat e tij. Kur sulmohet qeveria, përgjigjet Rama. Kur sulmohet PS-ja, përsëri del Rama. Kur duhet mbrojtur një reformë, një vendim apo një ministër, sërish pesha kryesore bie mbi Ramën.
Po ministrat ku janë?
Një qeveri nuk mund të funksionojë vetëm me autoritetin politik të Kryeministrit. Ajo ka nevojë për ministra që jo vetëm firmosin dhe administrojnë dikasteret, por që dalin në publik, përballojnë debatet dhe marrin përgjegjësi politike.
Rama ka fituar katër mandate radhazi dhe kjo mbetet një arritje e jashtëzakonshme elektorale. Por pikërisht për këtë arsye rreziku më i madh për PS-në është lodhja e pushtetit. Pas kaq shumë vitesh qeverisjeje, qytetarëve nuk mund t’u kërkosh vazhdimisht të besojnë vetëm te emri i Edi Ramës.
Duhet ekip.
Prandaj dorëheqja e Evis Salës mund të përdoret si moment për një rifreskim më të gjerë të qeverisë. Jo ndryshime për të kënaqur pakënaqësitë e ditës dhe as prerje kokash për t’i dhënë diçka protestës.
Por ndryshime politike.
Të largohen ata që nuk kanë dhënë rezultat, të promovohen njerëz me autoritet publik dhe të krijohet një kabinet që të marrë mbi vete një pjesë të barrës që sot vazhdon ta mbajë pothuajse i vetëm Kryeministri.
Sepse zgjedhjet vendore nuk do të jenë thjesht zgjedhje për kryetarë bashkish. Në klimën që po krijohet, ato mund të shndërrohen në një referendum politik për qeverisjen e gjatë të PS-së.
Dhe Edi Rama duhet të vendosë që tani nëse në atë betejë do të hyjë përsëri pothuajse i vetëm, apo me një qeveri të re, më politike, më energjike dhe me figura që kanë peshë për të mbrojtur publikisht mandatin e socialistëve.
Dorëheqja e Evis Salës i dha Kryeministrit rastin.
Tani mbetet të shihet nëse Rama do të ndryshojë vetëm një ministër, apo do të kuptojë se momenti kërkon më shumë se kaq. Në fakti Edi Rama ka nevojë me shumë se kurrë një kabinet me ministra të mirëfilltë politikë dhe që dinë të flasin e mbrojnë qeverisjen. Nuk ka pse del në çdo gjë e për çdo gjë të flasë apo polemizojë kryeministri.
Pse janë ministrat?!
KOHA JONË SONDAZH

