A ka krisje të marrëdhënieve mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit?

Nga Daniel Muçaku-

Ngjarja e pashembullt në aeroportin e Shkupit kërkonte deklaratë edhe nga qeveria e Kosovës, aq me tepër në takimin mes dy kryeministrave, atij kosovar dhe maqedonas, skandali u nënkuptua si diçka që ka ndodhur, por po mbyllim një sy.

Këtë nënkupton deklarata e Presidencës së Kosovës pas takimit të dy kryeministrave.

Presidenca e Kosovës shprehu të martën keqardhjen për mënyrën se si u trajtua incidenti në aeroportin e Shkupit, gjatë konferencës së shtypit një ditë më parë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski.

Bëhet fjalë për incidentin e 1 gushtit, pas së cilit zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroportin e Shkupit. Presidenca e Kosovës tha se e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, si sulm ndaj vet shtetit të Kosovës.

Por, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk e konsiderojnë këtë rast si provokim nga ana e Maqedonisë së Veriut ndërsa kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski shprehu keqardhjen për incidentin.

Në reagimin e presidencës së Kosovës thuhet se “mënyra se si u trajtua incidenti” gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, “sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.

Presidenca reagon fort dhe ka të drejtë se është poshtëruar shteti i Kosovës dhe jo vetëm Vjosa Osmani si person. Ajo është kryetare Shteti ndaj kryeministri Kurti duhej të ishte me i prerë në takimin me kryeministrin maqedonas.

Vizita e shpejtë e Albin Kurti në Shkup u bë mënjëherë pas poshtërimit të Presidentes së Kosovës dhe me shumë u interpretua si nxitim i Albin Kurtit që ministrat shqiptarë në qeverinë maqedonase të mos largoheshin nga qeveria në shenjë proteste.

A e shiti Albin Kurti presidenten para kryeministrit maqedonas?

Përgjigje e vështirë, por duke parë reagimin e presidencës pas vizitës së kryeministrit Kurti duket se marrëdhëniet Kurti-Osmani nuk janë më siç kanë qenë përpara.

SHKARKO APP