“A me qa, a me ulëri”, ish-deputetja e PS pas vrasjes së gruas në Paskuqan: Ç’dreqin bën ti shoqëria ime bashkë me mua?!
Një krim makabër tronditi sot Paskuqanin dhe mbarë opinionin publik, ku një 34-vjeçar shkoi deri në marrëzi sa goditi për vdekje me thikë dhe levë nusen e vëllait të tij. Mes shumë reagimeve që shkaktoi ngjarja e rëndë, që ndodhi pak para mesnate, ku Enkeleda Çapoku u vra në sy të nënës dhe vajzës 18-vjeçare, është dhe ai i studiueses Ledi Shamku.
Përmes disa vargjesh në ‘Facebook’ ish-deputetja e PS-së Ledi Shamku përcjell një mesazh të fortë për shoqërinë shqiptare si dhe rolin e gruas në Shqipëri.
“Ç’dreqin bën ti shoqëria ime bashkë me mua e me sa si mua, ç’dreqin bëjmë që s’bëjmë asgjë, po thjesht mbushim kuota grash e vajzash e vajzash e grash… ndërkohë që gratë na i vrasin në sy të vajzave e vajzat na i vrasin pa u bërë gra!”, shkruan Shamku.
MESAZHI I SHAMKUT
RRI?!
Ata janë të martuar, posi!
Kanë edhe një vajzuke të vockël, po!
Burri ka ca kohë që i ka thënë burgut hapu se shiste miell jo nga ai i petullave!
Banojnë në Paskuqan, pra në Tiranë!
Burri, ai i miellit, aty në birucë ku është ka hallin e nderit. Dhe le roje të vëllanë.
Rojen e gruas së burrit që s’është!
Vëllai i burrit që s’është hyn në shtëpi, aty ku gruaja po ha darkën vetmitare me t’ëmën dhe vajzën e vogël, dhe e vret. Jo, më falni, nuk e vret, e vdes në dru me një shkop bejsbolli. Në dru e vdes deri sa ajo vdes se burri që s’është, ai i miellit, po vdiste nga dyshimet…
Ajo vdiq.
E copëtuan në sy të vajzukes
E mbaruan në sy të nënës
E sosën në prani të vetes së vetme.
Ishte e vetme dhe ishte veçse 30 vjeç.
Dhe ti rri?
Ti hesht?
Ti rri në shtëpi?
Ti jep lajme të tjera veç kësaj a thua se ky është thjesht një lajm?
Ti? Ç’dreqin bën ti shoqëria ime bashkë me mua e me sa si mua, ç’dreqin bëjmë që s’bëjmë asgjë, po thjesht mbushim kuota grash e vajzash e vajzash e grash… ndërkohë që gratë na i vrasin në sy të vajzave e vajzat na i vrasin pa u bërë gra!
Ah po, prit se jena tu u marrë me Iranin, Trampin dhe do trampolina të tjera.
Nuk di a me qa a me ofsha a me ulëri, nuk di… Kam hall se po brita, m’tremben kuotat e m’arratisen nga letrat!