A mjafton vaksinimi i Ramës për të bindur shqiptarët? Bozdo: Nëse do të ishte kundër çmendurisë dhe egoizmit, po
Nisja e procesit të vaksinimit po shoqërohet me debate lidhur me origjinën e tyre. Kryeministri Rama tha se bëhet fjalë për një donacion nga një vend mik i BE-së.
Por anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, thotë se në kushtet e një mungese informacioni na lind e drejtë të dyshojmë nëse vërtet bëhet fjalë për vaksinën Pfizer.
Bozdo: Në të gjitha vendet kemi parë si kanë mbërritur me avion të posaçëm vaksinat. Kryeministri shfaqet vetë në ekran dhe nuk tregon nga ka ardhur vaksina. Nuk kemi parë nga ka ardhur, në çfarë rrugësh është transportuar, nuk e dimë cila lloj vaksinë është, vjen nga vendet perëndimore, Rusia, Turqia apo nga Kina. Kryeministri për ta mbuluar thotë se është nga një vend mik. Kemi të drejtë të dimë cila është kjo vaksinë, nga vjen dhe si do të përdoret. Kryeministri ka premtuar se vaksinimi do të na vijë nga Pfizer. Duhet të eleminojmë çdo lloj dyshimi.
I ftuar në Rtv Ora, Bozdo thotë se nuk mjafton vaksimi i Kryeministrit për ti bindur shqiptarët për efektshmërinë e saj.
Bozdo: Nëse vaksina do të ishte kundër çmendurisë dhe egoizimit do të mjaftonte, por kjo është vaksinë kundër Covid-it të një personi shumë problematik që mesa duket ende nuk e ka zënë.
Ai nënvizon faktin se në Shqipëri ekziston një agjenci, Qendra e Kontrollit të Barnave, ku çdo bar zyrtarisht duhet të marrë miratimin e saj përpara se të përdoret në vend.