A po bën një PS të re, Edi Rama?

(Ky editorial shikohet më i plotë si video)

Apo bën një PS të re, Edi Rama?

-Shkruar nga Jonida Halili-

Dje Asambleja e Partisë Socialiste ishte me dyer të mbyllura, si asnjëherë tjetër kur flet live kryeministri dhe kryetari i forcës socialiste e cila qeverisë Shqipërinë prej 10 vitesh.

Dje Edi Rama ka folur në Asamble, sipas burimeve brenda saj, me tone të ashpra dhe shumë pak në raport me herët e tjera kur ai sëpaku mban fjalim minimumi një orë. Ai dje vetëm 17 minuta ka folur duke theksuar sidomos se ”nuk ka njeri në PS apo nga zyrtarët e shtetit që mund të më thotë mua se kam marrë 1 lekë nga buxheti i shtetit”.

Këtë gjë e ka theksuar me tone të larta, bile duke përdorur edhe fjalor paksa popullor të lagjeve…

Më pas iu ka kujtuar të zgjedhurve dhe anëtarëve të Asamblesë Socialiste, ku futen ministrat, kryebashkiakët dhe një urdi zyrtarësh të lartë, se KENI KUJDES ME LETRAT SE PO IU ERDHI SPAK-U NUK IU MBRON NJERI.

Edi Rama ka folur për një PS me vizion të ri dhe me emra të rinjë, duke nënkuptuar se mundet të kemi një qeveri krejt të re në vjeshtë. Kjo vjen sepse këto muaj mazhoranca është goditur fort nga emra të saj të cilët ishin në nivele të larta qeverisje dhe që tani janë arrestuar ose janë nën kërkim nga SPAK-u.

Largimi i menjëhershëm i sekretarit të përgjithshëm të PS, Damian Gjiknurit, ku realisht asnjë nuk e priste, të paktën për mënyrën se si u bë dhe kur vinte pas një suksesi të madh electoral me 14 maji, tregon se Edi Rama nga pak e përditë do ti heqë gjithë emrat tradicionalë në PS për ti hapur udhën një partie me emra të rinjë ose me ata që kanë dhënë prova se janë nën urdhërat e Edi Ramës.

Ndër emrat që do të largohen me forma e metoda të ndryshme do të jenë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Erjon Braçe dhe disa të tjerë.

Strategjia e Edi Ramës për një PS krejt të re, duke e justifikuar me faktin se disa dolën të korruptuar nga qeverisjet e këtyre viteve, gjë që është e drejtë për këto emra, por nën këtë fushatë, ai do ta rinovojë krejt strukturën drejtues të PS-së.

Pikëpyetjet se përse kjo formë dhe pse me kaq nxitim po i bën Edi Rama këto spastrime në kupolën e Partisë Socialiste, duke e kastruar krejt historinë e saj, lidhet sipas analistëve me faktin, se pritet që Edi Rama të mos jetë kryeministër shumë kohë. Synimi mbetet të jetë President i Shqipërisë me kompetenca të forta kushtetuese, gjë të cilën mund ta bëjë në të ardhmen bashkë me Lulzim Bashën, i cili e merr PD-në, dhe të paktën në çdo formë ai do ti marrë diku tek 10 deputetë. Ndërsa mbi 84 deputetë do ti marrë vetë Edi Rama në zgjedhje të parakohshme apo normale. Pra shumicën kushtetuese me 94 deputetë Rama e plotëson. Por sipas Kushtetutës presidenti i Republikës nuk lejohet të jetë anëtar i një partie politike, pra formalisht frenat në PS do ti marrë dikush tjetër.

Por ai dikushi tjetër, që pak a shumë dihet se do të jetë Erion Veliaj, mund edhe të mos jetë në linjën e presidentit të ardhshëm. Ndaj si do të vijë puna Edi Rama po e pastron PS-në që të jetë krejt e tija, edhe kur të jetë President dhe kur kryetar në PS të jetë dikush tjetër, që normalishti i bie se kreu i PS do të jetë edhe kryeministër. Natyrisht kur fiton zgjedhjet.

Edi Rama nuk e përfytyron dot që të jetë President dhe që kryeministri-kryetar i PS-së të mos ja var më, sepse deputetët anojnë nga interesat të cilat janë nga ana e kryeministrit. Dihet që kryeministri ka paratë, fondet, investimet, etj. Më saktë ka gjithçka.

Ndaj Edi Rama ka filluar stinën e spastrimeve në PS; disa i fut në burg, të tjerë i var për qafe të dera e Asamblesë Socialiste, ndonjë që qëllon kokëfortë nuk e fut fare në listë dhe kështu PS-ja po kthehet në një parti të re pa asnjë lidhje me partinë e vjetër të këtyre 32 viteve.

Në fund të fundit mirë ua bën pasi kur shikojnë kokën e prerë të kolegut të tyre fërkojnë duart, duke mos e ditur se pas tij vjen radhë e atij që fërkoi duart, dhe kështu në seri, të gjithë priten ose varen, sepse nuk janë në linjën e Udhëheqësit.

Partia Socialiste ka ndryshuar fytyrën, veshjen, por tani edhe genin historik.

Eshtë partia e Edi Ramës!

Ashtu dhe në anën përballë, te Partia Demokratike. Atje emrin dhe vulën e PD-së e merr Lulzim Basha, ndaj Sali Berisha do të detyrohet të krijojë partinë e re, e cila do të quhet PARTIA E SALI BERISHËS!

Pas kësaj do të kemi Partia e Ramës, Partia e Berishësm, Partia e Metës dhe Partia e Bashës.

Parti të reja këta nuk lejojnë!

 

 

SHKARKO APP