FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

A po hyn protesta në një fazë të re, radikalizëm?

Fjalimi i mbajtur mbrëmjen e së enjtes nga drejtuesi kryesor i Protestës Kombëtare, Arben Kola, duket se shënon një moment të ri në retorikën e lëvizjes që prej 17 ditësh po proteston para Kryeministrisë.

Për herë të parë, krahas kritikave politike ndaj qeverisë, u artikuluan edhe mesazhe të drejtpërdrejta ndaj Policisë së Shtetit, ndërsa u përdor një gjuhë më e ashpër se ajo e dëgjuar në ditët e para të protestës.

Kola sqaroi fillimisht se lëvizja nuk është kundër Bashkimit Evropian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kundër asaj që ai e quajti “klikë” qeverisëse.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ne nuk jemi as kundër Europës, as kundër Amerikës, ne jemi kundër klikës”, deklaroi ai para protestuesve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por pjesa që tërhoqi më shumë vëmendje ishte mesazhi drejtuar forcave të rendit dhe referimi ndaj zemërimit të të rinjve.

“Mos shantazhoni të rinjtë! Sepse rinia është duke vluar! Kjo rini po kërkon me ju tërheq zvarrë dhe ne kemi thënë jo. Kjo protestë do të jetë paqësore deri në fund, por edhe fundi do e ketë një limit”, tha Kola.

Kjo deklaratë mund të interpretohet si tregues i një tensioni në rritje brenda protestës. Nga njëra anë, organizatorët vazhdojnë të këmbëngulin se protesta do të mbetet paqësore. Nga ana tjetër, përdorimi i shprehjeve si “rinia është duke vluar” dhe paralajmërimi se “edhe fundi do e ketë një limit” lë të kuptohet se organizatorët po përpiqen të kanalizojnë një pakënaqësi në rritje mes pjesëmarrësve.

Në lëvizjet protestuese, radikalizimi nuk matet vetëm nga veprimet në terren, por edhe nga gjuha politike. Kur retorika kalon nga kërkesat politike te paralajmërimet për përshkallëzim të mundshëm, krijohet perceptimi se protesta po hyn në një fazë më të tensionuar.

Megjithatë, deri tani nuk ka pasur akte dhune nga organizatorët apo protestuesit, dhe vetë drejtuesit e protestës vazhdojnë të deklarojnë publikisht se tubimet do të mbeten paqësore.

Pyetja që shtrohet tani është nëse kjo retorikë më e ashpër është thjesht një mënyrë për të mbajtur të mobilizuar protestuesit pas më shumë se dy javësh protestash, apo nëse ajo paralajmëron një fazë të re të përplasjes politike dhe qytetare në Tiranë.

Ditët e ardhshme pritet të tregojnë nëse protesta do të vijojë me të njëjtin karakter paqësor apo nëse tensioni i akumuluar do të prodhojë forma të reja presioni ndaj qeverisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?