A u ngacmua seksualisht minorenia nga infermieri?

Një lajm i përhapur me shpejtësi në portale ditën e djeshme fliste për një infermier, që kishte ngacmuar seksualisht një minorene gjatë kohës që ajo ishte në spital.

Madje thuhej se ai kishte tentuar ta përdhunonte.

Edhe pse çështja nuk është hetuar akoma dhe deri më tani ka vetëm një padi, sërish pati etiketime ndaj infermierit.

Por si është historia?

Everest Duka, 26 vjeç, u arrestua nga Policia e Elbasanit pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur.

Ka qenë xhaxhai i vajzës që ka zbuluar gjithçka.

Ai ka kapur një bisedë në FB mes vajzës 16-vjeçare dhe infermierit.

Vajza e komunitetit rom është fejuar që në moshën 13-vjeçare, por i fejuari është në Gjermani ku shpreson të fitojë azil.

Xhaxhait të vajzës i ka bërë përshtypja koha që kalonte minorenia në celular me dikë dhe ia ka marrë atë nga dora, duke zbuluar se ajo nuk fliste me të fejuarin.

Pasi është marrë në pyetje, e mitura thotë se infermieri ka tentuar ta përdhunojë.

Policia e ka arrestuar infermierin, por nuk përjashton mundësinë që kjo të jetë një shpikje.

Ndërkohë pacientet që ishin në dhomë me vajzën e mitur thonë se ajo ka fjetur në spital me nënën e saj dhe nuk ka pasur asnjë mundësi që infermieri ta ngacmonte.

“Të hetohet mirë ky rast dhe të mos merret në qafë një djalë i ri,” thonë ato.

Vetë Duka shprehet se nuk e ka bërë diçka të tillë, madje shton se e ka respektuar vajzën.

Ndërkohë në spital thonë se nuk kanë pasur asnjëherë dyshime tek sjellja e infermierit.

SHKARKO APP