Abilekaj: Rama po hedh në erë vendin, partitë e djathta janë projekti i tij
Gazetari Enton Abilekaj ishte i ftuari i Juli Krisafit në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në SYRI TV.
Ai komentoi fillimisht reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj thirrjeve të BE për të pritur Komisionin e Venecias për Kodin Zgjedhor.
“Rama po nxiton me planin për manipulimin e zgjedhjeve,” tha ai.
“Kjo nuk do të kalojë në heshtje, nuk do të pranohet nga BE. Fati i Shqipërisë dhe fati i Ramës janë duke vrapuar në krah të njëri-tjetrit dhe do të përballen më 25 prill. Insistimi i BE duhet të bëjë që Rama ta kuptojë se nuk duhet të përplasë fatin e tij me fatin e Shqipërisë. Pasojat do jenë të rrezikshme,” tha ai.
“Rama është i gatshëm që të djegë fatin e Shqipërisë. Ai është gati të bëjë gjithçka për pushtet,” tha Abilekaj.
Duke komentuar partitë e reja që pritet të dalin nga e djathta, ai tha se këto janë projekt i Ramës.
“Mendoj se këto janë pjesë e planit të Ramës për të përçarë opozitën. Fakti që po njoftohen nga Erion Veliaj, kjo bën që të jetë një projekt i tyre. Në zgjedhjet lokale doli Bindja Demokratike, hyri në zgjedhje pa asnjë qëllim, doli pa asnjë rezultat dhe vetëm legjitimoi rezultatin.
Ne gjykojmë veprimet, jo njerëzit. Topalli ka qenë në pushtet tetë vite si kryetare e parlamentit. Çdo njeri që humbet privilegjet e veta, si zonja Topalli, është gati të bëjë gjithçka për të fituar këto privilegje. Njësoj si Rama që është gati të hedhë në erë Shqipërinë për privilegjet e veta,” tha Abilekaj.