Abuzime me çmimet, ministria e Financave: Denonconi rastet në nr. 0800 14 14
Reagon ministria e Financave dhe Ekonomisë pas raportimit nga media të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare, ministria bën me dije se është vënë në dispozicion numri pa pagesë 0800 14 14, ku të gjithë mund të bëjnë denoncime.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe në kushtet e ndalimqarkullimit, përmes strukturave të saj po monitoron sjelljen e tregjeve për të shmangur çdo abuzim të mundshëm nga tregtarët. Për këtë qëllim është në dispozicion edhe numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, ku të gjithë mund të bëjnë denoncime të rasteve që konstatojnë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë inkurajon qytetarët që të përdorin këtë mjet komunikimi, për të ndihmuar në evidentimin e rasteve, të cilat do të ndiqen me prioritet, bazuar kjo edhe në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit” i cili përcakton ndalimin e praktikave të padrejta tregtare, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, nuk përbëjnë vepër penale, por kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me penalitetet përkatëse në fuqi.”