Abuzimet e farmacive dhe spitaleve private, Brisida Shehaj: Po shteti çfarë po bën? Mjaft fajësuat të tjerët

Nënkryetarja e LSI-së në Tiranë, Brisida Shehaj ka reaguar për deklaratat e zyrtarëve të qeverisë që fajësojnë farmacitë,  depot farmaceutike dhe spitalet private për abuzimet me çmimet. Në një shënim në rrjetet sociale, Shehaj thotë se nëse privati ka akuzuar, ku janë institucionet e shtetit që kanë detyrë të kontrollojnë tregun.

“Po mirë dakord fajin e kanë të tjerët. Po shteti që ka disa institucione a bëri kontrolle? Sa të tilla janë kryer? Sa spitale, farmaci, depo farmaceutike janë gjobitur? Sa ilaçe kontrabande janë konfiskuar?

I di i madh e i vogël në Tiranë apo ne rrethe se kush janë farmacitë që i shesin se jemi të gjithë konsumator. Të parët janë ata që punojnë në institucionet shëndetësore që blejnë te ta”,- thotë Shehaj.

Përfaqësuesja e LSI shprehet se nuk duhen fajësuar njerëzit që bëjnë kontrolle mjekësore, por institucionet shtetërore që nuk japin numrin e saktë të testimeve.

“Po dogana çfarë ka bërë se në kohë pandemie dhe fluksi i punës ka rënë dhe kishte më shumë mundësi të rriste numrin e kontrolleve???

Dhe në fund mos bëni me faj njerëzit e shkretë që shkojnë e bëjnë tamponin se nuk e bëjnë nga qejfi, por nga halli. Shteti ishte mire të deklaronte sa teste bën ai në ditë dhe sa privati aty do kuptojmë diçka më shumë”,- deklaron Brisida Shehaj.

Gjatë një takimit në Vlorë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qytetarët nuk kanë pse bëjnë tampone dhe analiza të privati, pa ua thënë më parë mjeku i familjes. Sipas tij, spitalet private abuzojnë sepse janë të lidhura me farmacitë.

“I çmendën njerëzit me teste, por ne kemi ndjekur një politikë të suksesshme. Komiteti Teknik nuk e ka kërkuar testin pozitiv. Një pjesë e madhe e njerëzve shkojnë bëjnë tamponë tek privati. Ne iu themi se nëse nuk je mirë, qëndro në shtëpi, bëj ato që thotë mjeku, s’ke nevojë të bësh tamponin. Turren të shkojnë të bëjnë tamponë tek privati me kosto marramendëse dhe marrin ilaçe që ose nuk iu bëjnë gjë ose iu bëjnë dëm. Nuk kanë pse ta bëjnë, nëse nuk iu thotë mjeku. Është një sëmundje dreqi, që nuk dihet si të kap, por janë ca etapa që tashmë i kemi thënë hapat me të cilat duhet ta luftosh. Kur je në kushtet e shtëpisë, nuk ke pse blen ilaçe kot. Privatet të ngarkojnë me ilaçe se janë të lidhur me farmacitë, por merr mjekun e familjes”, tha Rama.

SHKARKO APP