Acari i dimrit na trembë ne, por jo bimësinë
Gjovalin Gjeloshi
Ditët e ftohta që po kalojmë, mund të mos jenë në shtëpinë e tyre, por janë “në kohën e tyre”. Themi se, nuk janë në shtëpinë e tyre, por në “të komshnjve”, sepse ndodhja e këtyre temperaturave, edhe në zonat më të ftohta të Shqipërisë, nuk është fort e shpeshtë. Por nga ana tjetër, të ftohtit me çfardolloj temperaturash, është në kohën e vet. Jemi në dimër.
Ne në Shqipëri, ndoshta edhe në vende të tjera të varfëra, jo vetëm si qënie njerëzore, por edhe si vend apo qeveri, nuk jemi të përgatitur për situata dimërore me të ftohtë të tillë. Nuk kemi ngrohje dhe as nuk mendojmë për ngrohje alternative as kur bëhen ndërtimet e reja si në qytete apo në fshatra. (Gjithë gazin e Rusisë ta kemi në dizpozicion, nuk mund të ngrohim asnjë dhomë shtëpi me të). Për pakgjë të ftohtë mbetemi pa ujë: jo për faj të rrjetit të amortizuar të ujësjellësit, por për të metat e teknologjisë së instalimit të tubave që sjellin ujë. Nuk mendohet se uji ngrin akull dhe tubacionet ose nuk futen në thellësinë e duhur në tokë, ose nuk mbrohen me materiale veshëse aty ku janë në sipërfaqe. Shumë qytete sot i kemi pa ujë. Fryjnë erëra të zakonshme e mbetemi pa drita, sepse prap vazhdojmë ta përcjellim energjinë elektrike me ato tela e shtylla të para 50 viteve. Bllokohen rrugët edhe me një shtresë prej disa cm borë, sepse deri vonë nuk i kemi njohur borëpastrueset dhe tani edhe pse i kemi nuk i vemë në punë në kohën e duhur. Mbyllen shkollat e gjendja bëhet alarmante edhe për aq të ftohtë, sa në shumë vende dimri është i tillë në të tre muajt e tij dhe në të gjitha vitet etj. Por edhe vet organizmi i njeriut në vende si tonat nuk është i përshtatur me të tilla temperatura. Mungojnë veshjet e përshtatshme, qoftë edhe në garderobën e një familjeje që nuk i mungojnë paratë, sepse nuk jemi mësuar me dimra të tillë; struktura e racionit ushqimor nuk i përgjigjet motit të ftohtë, pijet e ndryshme që përdorim etj.
Por nuk është e njëjta gjë me bujqësinë. Bimët kanë caqet e tyre fiziologjike e biologjike të përcaktuara dhe acari i dimrit nuk i trembë ato. Përkundrazi, kur dimri është dimër në kohën e vet, kjo ndikon për mirë në vegjetacionin e bimës. Shumë bimë në biologjnë e tyre e kanë të domosdoshme grumbullimin e një shume temperaturash apo kalimin e një numri ditësh me temperature të ftohtë nën zero gradë gjatë qetësisë së tyre relative. Përjashto rastet e një rajonizimi jo të përshtatshëm dhe të pastudjuar mirë, kur mbillen bimë jashtë zonës së vet të kultivimit, në rastet e tjera temperaturat e ulta që nuk shoqërohen me reshje të rënduara shiu, ndikojnë pozitivisht në vegjetacionin e ardhshëm të bimës.
Natyra ka bërë seleksionin e vet duke përshtatur sipas stinëve e zonave klimatike bimët e ndryshme në shërbim të të ushqyerit të njeriut. Po kështu edhe njeriu me punën e tij, e ka pasuruar këtë seleksionim duke krijuar lloje të reja me rendimente dhe cilësi të lartë. Prandaj kur të mbjellim bimë apo pemë të ndryshme, duhet të mendojmë mirë se cilat janë të përshtatshme për një zonë të caktuar. Ne do të dëshironim të kishim në kopështin tone edhe të gjitha llojet e bimëve tropikale, deri bananen, mangon e dhjetra fruta të tjera që tashmë i gjejmë në treg, por që klima jonë nuk i lejon të prodhohen tek ne. Në shumicën e rasteve, faktori kryesor kufizues në kultivimin e bimëve është temperatura. Të gjithë faktorëve të tjerë mund t’u gjendet dermani: si tokës, erës, lartësisë mbi nivelin e detit etj. Deri edhe bimët subtropikale si agrumet, kryesisht mandarina e limoni, në zonën tonë veriperëndimore, nuk janë në shtëpinë e vet. Ditët që po kalojmë, po na e provojnë këtë gjë. (Në zonën fushore të Lezhës temperaturat kanë shkuar deri në minus 7-80 C dhe në zonë kodrinore malore minus 10-12 gradë)
Me fjalë të tjera, nëse kultivuesit: fermerët, kopështarët e amatorët që dëshirojnë të merren me kopështarinë etj, kanë mirë parasysh rajonizimin, brezin e lejueshëm të kultivimit të një lloj fruti a bime në përgjithësi, atëherë acari mund të na trembë ne si njerëz me të ftohtin e tij, por nuk duhet të kemi frikë se po na dëmtohen bimët që kemi mbjellur në kopështin tonë.
Prej vitesh janë të njohura konstatime të tilla si: shtresa e borës e mbron bimësinë nga të ftohtit; ngricat (ngrij-shkrij toka), bëjnë njëkohësisht edhe prashitjen në bimën e grurit etj. Të ftohtit me disa gradë nën zero, shkatërron bazën dimëruese të shumë dëmtuesëve e sëmundjeve të bimëve bujqësore. Por jo vetëm kaq: atmosfera në kohë të akullt është shumë më e pastër, insektvrasëse dhe pa pluhura.
Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për acarin që mund të jetë jashtë sezonit të dimrit. Bëhet fjalë për ngricat e vonta të vjeshtës, por sidomos ato të hershme në pranverë. Ka bimë të tilla si kivi, i kultivuar kohët fundit tek ne, që faktor kufizues (përveç temperaturave në gjendjen e qetësisë vegjetative, që kivi duron deri në 14 grad minus), janë pikërisht ngricat e këtyre dy periudhave Ngricat e hershme të nëntorit dëmtojnë prodhimin, sepse fruti i kivit nuk mund të vilet më përpara se dhjetëditori i parë i muajit nëntor dhe ngricat e hershme të pranverës (dhjetëditori i parë i marsit), dëmtojnë sythet e sapoçelë, për arsye se vegjetacioni tek kjo bimë fillon gadi dy javë më përpara se te hardhia. Pa përmendur pastaj lulëzimin e hershëm të disa pemëve frutore si kumbulla etj, të cilat “gënjehen” për të çelur lulet shpejt.
Gjithësesi në punën e veprimtarinë tonë të përditshme a të përvitshme, në të gjithë sektorët, jo vetëm në bujqësi, të mos harrojmë se, dimri është dimër. Kur ka rastisur një periudhë e butë në këtë stinë, populli kurr nuk ia ka pasë besën dhe është shprehur: “Kujdesohuni. Dimri nuk shkon gomar”.
Gjovalin Gjeloshi

