Administratorët e rinj shtetëror të Ora News, Daci: Shkelje e hapur, sulm ndaj fjalës së lirë
Avokati i “Yldon Media Group”, Jordan Daci ka folur në lidhje me dy administratorët e rinj shtetëror që kanë mbërritur ditën e sotme në Ora News dhe RTV Ora.
Daci e ka cilësuar këtë akt si të jashtëligjshëm, teksa ka cituar edhe nenet e Kushtetutës ku thekson se “një veprim i tillë është një veprim haptas i paligjshëm, madje përbën veprën penale “Shpërdorim Detyre”, sepse cënon një normë urdhëruese dhe kjo për një arsye, sepse legjislacioni në fuqi parashikon tre regjime administrimi. Një regjim që është kur merret në veprim administrative dhe nuk është me vendim gjykate. Në këtë rast caktohet me akt administrative administrator.
Rasti në të cilin ndodhemi ne është rasti kur sekuestro është caktuar nga gjykata dhe po ashtu edhe administrator është caktuar nga gjykata.
Rasti i tretë kur jemi në periudhën pasi bëhet konfiskimi i pasurive dhe padyshim që është agjencia që cakton administratorin sipas gjykimit të tyre.
Në rastin konkret është shkelur ligji për administrimin e pasurive si në nenin 12, ku thuhet se administratori parashikohet vetëm me vendim gjykate dhe mund të ndryshohet përsëri vetëm me vendim gjykate”.
Daci ka vijuar më tej, teksa shpjegon se në të tilla raste duhet një kërkesë specifike për të bërë ndryshime, por kjo kërkesë sipas tij nuk është e motivuar.
“Kërkesa nuk është e motivuar dhe niset nga refuzimi i ish-administratorit për të bashkëpunuar në atë ç’ ka ishte planifikuar dhe vazhdon të synojë të zbatohet kundër Ora News. Pra praktikisht është një sulm ndaj fjalës së lirë, sepse është aset mediatik prandaj bëhet gjithë kjo luftë”, ka thënë Daci.