Administrimi i plazheve sipas modelit malazez
Ligji i ri për menaxhimin e vijës bregdetare që pritet t’ua heqë bashkive administrimin e plazheve, propozon krijimin e një ndërmarrje publike nën varësinë e pushtetit qendror. Drafti është ende në diskutim por nisur puna për hartimin e ndryshimeve ligjore që pritet të depozitohet në Kuvend brenda muajit shtator.
Për hartimin e ligjit të ri të menaxhimit të vijës bregdetare dhe bregliqenore po shqyrtohen disa modele të huaja, ndër të cilat edhe ai i Malit të Zi. Në vendin fqinj është Drejtoria e të Mirave Detare që i menaxhon këto zona, një strukturë kjo në varësi të pushtetit qendror. Sipas ligjit në fuqi, plazhet private dhe publike duhet të jenë në raportin 80 me 20 por kjo gjë nuk është respektuar nga subjektet private dhe as nga bashkitë që kanë detyrimin të ndërmarrin masa.
Ka qenë policia që edhe këtë të hënë ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike në bregdet të zaptuara në mënyrë të paligjshme. Gjatë operacionit të shtrirë në fundjavë në Ksamil, Himarë, Vlorë e Divjakë, u proceduan penalisht 6 pronarë subjektesh, 5 në qarkun Vlorë dhe një në Divjakë. E njëjta masë u mor edhe ndaj nënkryetarit të bashkisë së Sarandës, Jorgo Mitro, pasi ai nuk ka ekzekutuar vendimin e kryetarit të Bashkisë Sarandë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil. /Tv Klan/