Adriana Kalaja ndërton pa leje, IMT e gjobit dhe vendos prishjen e objektit shtesë
Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja është kapur në flagrancë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit. Ajo është denoncuar nga qytetarët e pallatit ku banon në zonën e Kodrës së Diellit.
Në procesverbalin nr.5262 datë 7.8.2024 është konstatuar ndërtimi pa leje me sipërfaqe 24m2 në banesën e zonjës Kalaja në zonën e Kodrës së Diellit. “U konstatua vendosje pergolat me strukturë metalike me përmasa 3m gjerësi dhe gjatësi 8m, në total 24 m2. Gjatë kontrollit të ushtruar në objekt, u konstatua vendosje tende pergolat e paparashikuar në projekt”, thuhet në procesverbalin e firmosur nga tre inspektorë.
Sipas procedurës ligjore të parashikuar në këtë rast, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka marrë vendimin për prishjen e këtij objekti, duke vendosur në dijeni edhe palën që ka kryer shkeljen ligjore. Për këtë rast është njoftuar edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Tiranës, e cila ka nisur hetimin për ndërtim pa leje. Ndërkohë që IMT i ka dorëzuar palës që ka kryer shkeljen edhe gjobën e përllogaritur në bazë të shkeljes së kryer.