Adriatik Dosti: Ja çfarë di unë për Parashqevi Simakun!

Nga: Adriatik Dosti, SHBA

Personalisht e dënoj ashpër “kërkesën” dhe “thirrjen për ndihmë”, si dhe “dhembshurinë” e Djallit-Fevziu në adresë të një prej simboleve të këngës së lehtë dhe popullore shqiptare, njëra nga ikonat e skenës shqiptare të viteve ’80-’90, Parashqevi Simaku. Sikurse vlerësoj si shumë pozitiv dhe njerëzor reagimin publik të kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, lidhur me ngjarjen në fjalë.

E lindur në Kavajë më 1 shtator 1966, falë një talenti të jashtëzakonshëm dhe paraqitjes së saj joshëse, u ngjit në skenën shqiptare të muzikës që në moshën 16-vjeçare, teksa këndonte në Kavajë, por edhe në Durrës. Nga viti 1982 deri në mes të vitit 1991, mbeti pothuajse një nga këngëtaret më të respektuara dhe më të dashura për shqiptarët, duke fituar një sërë çmimesh, sidomos në festivale si Kënga Magjike, Këngët e Stinës, Dekada e Majit, dhe Folku Shqiptar, sidomos ai i Shqipërisë së Mesme. Ajo arriti kulmin me disa çmime prestigjoze në Festivalin Kombëtar të RTSH-së.

Në fund të vitit 1991, Parashqevi vendosi ta provonte fatin dhe të vazhdonte jetën e saj personale, por edhe artistike, në Amerikë. Ajo njihet si një nga drejtuesit e grupit muzikor “Jehona e Ilirisë” (shtetas i origjinës nga Kosova, me banim të hershëm në SHBA), si dhe qytetare shqiptaro-amerikane. Këmbëngulja e saj dhe qëllimi final i saj, pasi tashmë ishte sistemuar në Amerikë, ishte ta linte grupin muzikor dhe të bashkohej me Hollivudin, pra të provonte më shumë dhe më lart dhe të mos mbetej thjesht një këngëtare e një grupi muzikor. Pikërisht kjo çoi në kontradikta dhe sherrin mes Parashqevisë dhe bashkëshortit të saj, deri në divorc. Gjyqësori në N.Y. i njohu të drejtat për kujdesin e djalit të çiftit babait, pasi ai kishte më shumë lidhje, emër dhe ndikim, duke shfrytëzuar edhe depresionin që Simaku po kalonte natyrshëm për atë që i ndodhi, duke i shkatërruar jetën kështu.

Ajo tentoi të shpërngulej nga N.Y. për në Los Anxhelos, ku jetoi për një kohë të shkurtër, por pa sukses në atë që donte të arrinte. E shkatërruar personalisht, familjarisht, artistikisht dhe ekonomikisht, ajo vendosi të rikthehej në N.Y., ku jetonte edhe djali i saj. Katër janë njerëzit që kanë ndikuar më shumë negativisht në jetën e Parashqevisë, më shumë se sa për mirë, dhe që tronditën me të drejtë opinionin publik shqiptar:

Luan Pobrati, shefi i Sigurimit të Shtetit që mbulonte Artin dhe Kulturën dhe që para vitit ’90 përflitej si i dashuri i saj. Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit shqiptar, e cila dha urdhër të prerë: “Më zhdukni nga skena këtë lloj fytyre, se nuk e duroj dot”. Ish-bashkëshorti i saj, i cili e mbajti peng dhe e shfrytëzoi artistikisht, duke e mbajtur thjesht si pjesëtare të grupit muzikor që ai drejtonte dhe nuk e la kurrë të bënte asnjë hap më tej.

Blendi Fevziu, i cili me “videon e tij njerëzore”, por realisht djallëzore, e poshtroi Parashqevinë në këtë mënyrë. Parashqevi, sot 58 vjeçare dhe me një repertor të pasur të këngës së lehtë dhe popullore shqiptare, si dhe me një karrierë brilante gjatë viteve, është e vërtetë se momentalisht, dhe në fakt për disa vite, ka kaluar shumë vështirësi në jetën e saj. Por jam mëse i sigurt se karakteri, dinjiteti dhe personaliteti i saj e përbuzin dhe refuzojnë “humanizmin dhe mëshirën” e poshtër të Fevziut dhe shokëve të tij. Simaku u tërhoq nga skena për arsye personale, familjare dhe shëndetësore në vitin 2006, në moshën 40 vjeçare, pas plot 24 vitesh në skenë. Fatkeqësisht, ajo u tërhoq në kulmin e moshës njerëzore dhe profesionale të një artisti.

E luta disa herë që të vinte në grupin tim dhe në orkestrën time, aty ku isha i punësuar në një lokal serioz, dhe ku paguanin mirë, më tregonte disa vite më parë kompozitori i famshëm shqiptar Agim Krajka. Më pas, do ta ndihmoja që të realizonte edhe ëndrrën e saj, Hollivudin, sa mundesha, pasi ajo ishte ankuar për mënyrën se si e trajtonte bashkëshorti ose bashkëjetuesi i saj, kur asokohe jetonim të dy në N.Y, unë dhe familja ime, por edhe Parua dhe familja e saj. Ajo nuk më dëgjoi, nuk pranoi dhe e refuzoi kërkesën time, aq më shumë që kishte ardhur disa herë aty ku punoja unë, kishte kënduar për respektin tim dhe ishte pëlqyer, duartrokitur, por edhe sajdisur, ashtu siç e meritonte.

E njihja mirë dhe nga afër prej vitesh. Ishte njeri i mirë dhe mbi të gjitha një talent i rrallë dhe i madh i të dyja gjinive të muzikës shqiptare, asaj të lehtë dhe asaj popullore. Më pas, jeta e mori për ters në mënyrë të dhimbshme, dhe kjo nisi menjëherë pas divorcit. Kaloi në depresion dhe, pas zhgënjimit që pësoi në L.A, pati probleme të ndryshme shëndetësore. Ajo u largua nga skena dhe, madje, [lus Zotin të mos jetë e vërtetë], kam dëgjuar se ka përdorur edhe lëndë narkotike për të qetësuar veten, etj. Ndërkohë, rikthimin në Shqipëri as që e kishte ndërmend. Këto janë kujtime dhe rrëfime që më ka treguar Mjeshtri Agim Krajka, kur ai dhe familja e tij jetuan në Amerikë për disa vite.

Kaq di unë për këngëtaren e mrekullueshme shqiptare Parashqevi Simaku, të cilat ua rrëfeva juve, motra dhe vëllezër shqiptarë, me shpresën dhe besimin se, në çfarëdo situate që ajo po kalon, fatkeqësia kurrë nuk do ta vërë poshtë, as ta gjunjëzojë. Përkundrazi, do të gjejë forcë dhe besim tek vetja për të qenë ajo që e kanë njohur të gjithë shqiptarët gjatë viteve: fisnike dhe dinjitoze.

SHKARKO APP