Adriatik Lapaj vlerëson marrëveshjen PS-PD për Kodin Zgjedhor: Vota e diasporës, një fitore e jashtëzakonshme

Adriatik Lapaj nga lëvizja ”Shqipëria Bëhet”, thotë se marrëveshja për votën e diasporës është arritja më e madhe politike e 20 viteve të fundit dhe që e quan një fitore të jashtëzakonshme.

”Drafti që ne kemi çuar është pranuar në një pjesë shumë të madhe, është bashkuar me draftin e dakordësuar nga partitë parlamentare. Ai adreson në pjesën dërrmuese atë që kishim kërkuar. Ajo që nuk u adresua ishte vetëm ngritja e një komisioni të posaçëm pranë KQZ, të përbërë nga 5 anëtarë të pavarur, si hap i parë i depolitizimit të administratës zgjedhore. Miratimi i votës së diasporës është një arritje e jashtëzakonshme e shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.

Është një fitore e jashtëzakonshme dhe duhet shfrytëzuar maksimalisht për të vendosur demokracinë e vërtetë në Shqipëri. Partitë nuk e donin votën e diasporës, siç nuk donin Reformën në Drejtësi, por e votuan.

Në Gjykatën Kushtetuese u fitua çështja dhe u vendosën përballë faktit që Parlamenti nuk mund të mos zbatonte një vendim të kësaj gjykate. Zoti Majko e pranoi këtë fakt, duke u treguar burrë”,-tha Lapaj në ”A2Cnn”.

SHKARKO APP