Adriatik Llalla del sot para Kolegjit të Apelimit
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të dalë ditën e sotme para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili do të vendosë nëse do të ketë apo jo veting për të. Pasi mbylli mandatin në krye të prokurorisë, Llalla ju drejtua me një shkresë presidentit ku e njoftonte se do të largohej përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Ligji parashikon që kryeprokurori pasi dorëzoi mandatin mund, të marrë detyrën e gjyqtarit të Apelit, sigurisht nëse kalon vetingun. Por Llalla në shkresën që i dërgoi Presidentit Ilir Meta, deklaronte se nuk preferon të ushtrojë detyrën e gjyqtarit dhe do largohej nga sistemi.
Më pas ishte Presidenti që kërkoi ndërprerjen e procesit të vetingut për të. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pranoi kërkesën dhe e ndërpreu vetingun. Mirëpo Komisioneri Publik e cilësoi të padrejtë këtë vendim, duke e dërguar atë në Kolegjin e Apelimit. Komisioneri ka kërkuar që Llalla t’i nënshtrohet procesit të vetingut pavarësisht dorëheqjes.
Argumenti i komisionerëve është bazuar te përcaktimet në ligj. Ligji i vetingut ka parashikuar që e drejta e dorëheqjes ishte 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Por Llalla u largua gati një vit më pas. KPK qëndrimin e tij e bazoi te një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila shprehej se çdo kush ka të drejtën e dorëheqjes nga procesi në çdo kohë.
Sot do të jetë KPA që do të vendosë nëse do ketë apo jo veting për Llallën. Ndërkohë, ndaj tij kanë nisur dhe hetimet pasi ishte vetë komisioni i vetingut ai që ka zbuluar shumë shkelje në pasurinë e tij. Pasi SHBA e shpalli Llallën “non grata”, prokuroria nisi një hetim ndaj tij dhe sekuestroi dosjen pranë komisionit të vetingut. Ky i fundit bashkë me ILDKP dhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave kanë zbuluar shumë shkelje në pasurinë e tij. Llalla ka shitur vazhdimisht prona me vlera nga më të ndryshmet dhe kjo ka rritur dyshimet te autoritetet.
KOHA JONË SONDAZH

