SPAK merr të pandehur Metën. Avokati: Mbajtën Metën në qeli dhe liruan Berishën me urdhër të Ramës
Këtë të martë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion pas vitesh hetime, merr të pandehur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi për skandalin e lobimit të LSI në SHBA, aferën CEZ-DIA dhe hetimin pasuror ndaj tyre.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se ”Hetimet u përfunduan pas zgjedhjeve dhe jemi në këtë moment, pikërisht në momentin që përfunduan zgjedhjet, për të hequr vëmendjen. Pasi të lexojmë materialet, njihemi edhe me aktet, sepse janë fashikuj të tërë, duhen kohë për t’i studiuar. Meta i ka dhënë shpjegimet para se të merrej masa e arrestit. Çështja është e montuar, i drejton autokrati të gjitha veprimet, i ka drejtuar të gjitha veprimet ndaj Metës.
Janë persona të tjerë që mbajnë përgjegjësi për lobimet, emrat do dalin, kjo çështje nuk përfundon këtu, do thirren ato persona që ka ngritur kartonët edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Do jetë procesi i shekullit, kjo gjykatë vendos çfarë kërkon prokuroria.
Nuk ka asnjë hetim. Meta është regjistruar si person hetim më 10 qershor, dhe është arrestuar më 21 tetor, plot 5 muaj më pas. Pse duhet arrestuar Meta, se u lirua Berisha dhe u arrestua Meta?! Të dy jashtë nuk mund të rrinin jashtë për zgjedhje”- tha avokati duke nënkuptuar se ka lojë politike të kryeministrit që liroi Berishën dhe mbajti Metën brenda në qeli.
Ndërkohë ka reaguar Ilir Meta nga qelia. Ai shkruan: “Sot, siç e keni ndjekur nga mediat, por edhe nga sqarimi publik i avokatit tim të mirënjohur Kujtim Cakrani, fill pas farsës elektorale, siç edhe e prisja, m’u komunikua me urdhër të Edi Ramës, marrja si i pandehur.
Është e qartë se më shumë se 7 muaj pas rrëmbimit tim terrorist, si prelud i vet terrorizmit elektoral të zhvilluar në publik dhe akoma më shumë në nëntokë, do të ndodhte pikërisht kjo që ndodhi sot.
Dua t’ju sqaroj se nuk ka asnjë episod të ri përveç fletërrufesë pa asnjë fakt apo provë penale, që u firmos me urdhër të Edi Ramës, jo thjesht për rrëmbimin tim politik dhe terrorizimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe për rrëmbimin e vet Partisë së Lirisë dhe të siglës së saj.
Kauzat e Partisë së Lirisë janë më të forta se asnjëherë ndaj pres me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.
Jam i bindur se ky proces i Ramaformës, i fabrikuar për vite të tëra, hetimi i së cilës ka nisur në dhjetor 2019, do të shkrihet si akullorja në kulmin e vapës”.
KOHA JONË SONDAZH

