Afganët, opozita dhe imazhi i Edi Ramës në botë

Nga: Redjon Shtylla

Prej ditësh Tirana është në pritje si kurrë më parë të refugjatëve. Godinat e ”Qytetit Studenti” janë pastruar dhe rregulluar për afganët. Që prej ditës së hënë, lajmi i vetëm në Shqipëri është ardhja e refugjatëve, të cilët po i ikin një regjimi diktatorial, siç është ai i talebanëve që kanë rregulla të forta dhe privime të lirive dhe të drejtave njerëzore. Por ajo që është lajm në vend është opozita dhe imazhi i Edi Ramës në botë.

Opozitës i mungon diagnoza e rastit. Fjala e mirë e kreut të PD-së, Lulzim Basha që Shqipëria duhet të presë afganët është pozitive, përpos disa pyetjeve që PD dhe LSI duhet të kishin shtruar për këtë situatë. Pasi humanizmi në këto raste mund edhe të anashkalojë disa çështje me rëndësi, që janë: Kush janë këta shtetas që do të vijnë, kush do të përgjigjet për mirëmbajtjen e tyre, a përbëjnë rrezik për sigurinë e vendit? Nëse do të përgjigjet qeveria shqiptare, këtu ka shumë diskutime dhe opozita duhet ti rendisë ato. Të paktët janë figurat e opozitës që flasin për këtë çështje, ku kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar vetëm një herë për ti uruar mirë se ardhjen, kurse nga LSI-ja, kryetarja Monika Kryemadhi vijon të qëndrojë në heshtje që pas zgjedhjeve të 25 prillit.

”BESA”, u përdor nga Amerika dhe jo vetëm, për të treguar gjestin human të qeverisë ”Rama 2” për strehimin e afganëve në vendin tonë, por për nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, besa e shqiptarëve nuk ka nevojë për sekser kryeministrin Edi Rama.

Po ashtu Vasili thekson se kryeministri trembet që të jetë trasparent me popullin dhe të kërkojë besën e popullit. ”Kryeministri nuk është as pronar i popullit dhe as i qeverisë është thjesht administratori i radhës. Besa jepet sy në sy dhe nuk i jepet borxh askujt. Shqiptarët i dhanë besën dhe ndihmuan qindra mijëra vëllezër nga Kosova vite më parë dhe prandaj nuk kanë nevojë për sekserin Edi Rama. Turp që shqiptarët e besës u prenë në besë”,-shkruan Vasili në facebook.

Nga ana tjetër, nënkryetari i LSI-së akuzon se në këtë proces nuk ka transparencë. Por me rrjete sociale nuk kërkohet llogari, nëse vërtet opozita është e shqetësuar, duhet ti drejtohet organeve përkatëse, në mënyrë që nesër të mos thonë se ne reaguam, por nuk na dëgjuan. Këto përgjigje opozita duhet ti gjejë për popullin shqiptar dhe sigurinë kombëtare.

Për këtë pjesë, ish-ministri i Ekonomisë Arben Malaj, thotë se afganët nuk krijojnë asnjë rrezik apo për më tepër cënim të sigurisë kombëtare. Për të Shqipëria do të ketë nevojë për njerëz të arsimuar nga vendet e tjera dhe thekson se afganët që po vijnë në vendin tonë janë të mirëarsimuar dhe mirëtrajnuar.

‘’Vendim shumë i mirë, përputhet me vlerat mikpritëse të shqiptarëve. Populli e jep mbështetjen kur nuk e kundërshton një vendim. Është në kulturën tonë. Afganët janë të mirëseardhur, duhet ti mirëpresim. Shqipëria do të ketë nevojë për njerëz të arsimuar nga vende të tjera. Shkalla e arsimimit të tyre do e përcaktojë kërkesa”,-tha Malaj në ”News24”.

Në këto 4 ditë, kryeministri Edi Rama ka dhënë intervista për mediat më presigjoze si në Europë, apo dhe në Amerikë, duke shpalosur planet e Shqipërisë për pritjen ndoshta të 30 mijë afganëve. Ishte kryeministri Rama, ai i parë që i tha “Po” strehimit afgan, dhe për këtë moment ka tërhequr vëmendjen e medias botërore, si i pari që hapi siparin e solidaritetit me atë çka ndodhi në Afganistan. Shumë e kanë cilësuar këtë vendim, si personal të Edi Ramës për të dhënë një imazh të një udhëheqësi guximtar.

Fatos Lubonja thotë se Rama e bën këtë për mbështetje amerikane, por kryeministri e mohon këtë gjë. ”Është kaq shqetësuese të lexosh se Shqipëria po i strehon afganët vetëm sepse na kërkuan SHBA, pasi është qesharake t’u kthesh kurrizin atyre dhe të fajësosh vetëm SHBA. Ne të gjithë ishim atje si NATO dhe këta njerëz ishin atje për ne, p.sh. besonte në idealet për të cilat qëndrojnë SHBA dhe BE”,-është shprehur Edi Rama. Kurrë sesi nuk mund të bëhet për vëmendje, por përderisa Shqipëria ka pritur dhe strehuar muxhahedinët, pse të mos të bëjë të njëjtën gjë edhe me afganët? Këta të fundit ende nuk kanë ardhur dhe debati është ndezur keq, por veç se të presim se çfarë do të ndodh, nuk kemi gjë tjetër në dorë.

Ky është një imazh pozitiv për Shqipërinë, pasi mediat në Europë shpesh herë i etiketojnë shqiptarët si trafikantë dhe problematikë. Në Britani gjithmonë i lidhin me trafikantët dhe bandat e drogës, në Holandë po ashtu, por figura e shqiptarëve me strehimin e afganëve tregon sesi një shtet i vogël është me zemër të madhe.

SHKARKO APP