Afrim Krasniqi: Reforma Territoriale u kthye në pazar politik, bashkitë u përdorën si qoka
Politologu Afrim Krasniqi e ka cilësuar si “qesharake” mënyrën se si është konceptuar dhe zbatuar Reforma Territoriale në Shqipëri, duke argumentuar se pas ndryshimeve administrative nuk qëndrojnë kritere të qarta, por interesa dhe pazare politike.
I ftuar në emisionin në A2 CNN, Krasniqi solli si shembull rastin e Patosit dhe Roskovecit, duke ngritur pikëpyetje mbi logjikën e vendimeve për shkrirjen apo mbijetesën e bashkive.
Sipas tij, në disa raste bashkitë janë ruajtur jo për arsye administrative apo demografike, por për shkak të peshës politike që përfaqësojnë.
“Kur shikon kriteret, merr Patosin me Roskovecin. Ajo që shkrihet ka më shumë banorë se ajo që ngelet”, tha Krasniqi, duke shtuar se raste të tilla tregojnë mungesën e një logjike të unifikuar në reformë.
Politologu e lidhi gjithashtu mbijetesën e disa bashkive me interesat parlamentare dhe elektorale të forcave politike.
“Pazare të tilla e dobësojnë konceptin e termit reformë dhe na bëjnë qesharakë”, deklaroi ai.
Krasniqi theksoi se një reformë e vërtetë duhet të ketë një qëllim të qartë dhe të shpjegojë se çfarë problemi synon të zgjidhë.
“Cili është problemi që zgjidhet? Nuk është thënë asgjë. Ta quash reformë, kjo është qesharake”, u shpreh ai.
Duke iu referuar reformës së vitit 2014, Krasniqi tha se edhe atëherë pati ndryshime të minutës së fundit, duke pretenduar se disa bashki u shtuan për arsye politike.
“Në 2014 u shtuan në momentet e fundit 5 bashki që s’i duheshin 4 vota. Nëse ti e shkrin një bashki, e ndan apo e krijon vetëm për shkak të qokave, ka një problem madhor”, përfundoi politologu.

