Agim Baçi: SPAK dhe BKH të mos jenë shakaja e rradhës, por legjitime
Qytetarët shqiptarë kanë humbur besimin në drejtësi aq sa edhe ngritja e strukturave si SPAK dhe BKH i bën ata të ndihen skeptik për funksionimit e tyre.
Por analisti, Agim Baçi, në një intervistë për Ora News shprehet optimist se këto struktura do të funksionojnë duke qenë se janë “bekim” nga ndërkombëtarët.
Ai shpreson që SPAK dhe BKH të mos jenë shakaja e rradhës, por të jenë institucione që do të vendosin drejtësi në vend.
Agim Baçi: Politika ka tentuar që të legjitimojë, jo vetëm median por edhe drejtësinë. Dhe në konceptin që të gjithë janë të korruptuar fitojnë vetëm ata që janë hajdutë. Në këtë mes duhet të hyjë drejtësia. Vetëm ajo mund të vendosë një raport që të mos flasë njësoj si ai që ka vjedhur dhe ai që nuk ka vjedhur. Ndaj është një raport i një sistemi ku pushteti gjyqësor na dhemb kur mungon drejtësia. Kjo i heq qytetarit shpresën që mund të rikuperohet. Kur unë kam një problem me fqinjin unë shkoj në Gjykatë, por kur më hyn në hak një gjykatës ku të shkoj unë? Unë besoj që meqënëse këto struktura janë bekim nga ndërkombëtarët me të cilët ne kemi shumë shpresë dhe të merren seriozisht me Shqipërinë që ky vend mos të braktiset, atëherë unë besoj se nëse institucionet e reja të drejtësisë do të nxjerrin para ligjit ata të cilët kanë abuzuar me pasurinë e këtij vendi dhe me shpresën e këtij vendi ata kanë dekurajuar njerëzit që të jetojnë këtu. Unë shpresoj që këto institucione mos të jenë një shaka e rradhës por të jenë institucione që njerëzit të fillojnë të besojnë se e drejta do të ndodhë.
Gjithashtu ai vendos në pah dhe mungesën e institucioneve ndërmjetësuese mes qytetarëve dhe politikanëve.
Agim Baçi: Nuk i kërkohet atij qytetarit të thjeshtë që të gjejë ai një rrugëzgjidhje filozofike përballë pushtetit. Ndaj dhe janë institucionet e ndërmjetme. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Kanë vdekur institucionet e ndërmjetme. Nuk kanë akademitë institutet fakultetet. Institucionet e ndërmjetme kanë pushuar së qënuri faktor të rëndësishëm të orientimit. Dhe kjo e bën politikën përballë qytetarit shumë të dëmshme. Qytetari ka nevojë që mes tij dhe politikës të ketë institucionet e moralshme, e orientuara.