Agim Karagjozi, mentori i Patriotizmës Shqiptare

PJESA E TRETE/Në 110 vjetorin e gazetës DIELLI

Agim Karagjozi – Ish Kryetari i Federatës Pan – Shqiptare – VATRA – Mentori i Patriotizmës Shqiptare
Nga Mal Berisha

“Egoist nuk është vetëm ai shqiptar që i vendos interesat e shqiptarisë mbi ato të vetat.” A.Karagjozi.
Në mesin e vitit 1999 pas shërbimit që kisha mbyllur si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Vilajetin e Stambollit u vendosa për një farë kohe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, praktikisht në shtetin e New Jersy – t. Puna e mëparëshme më kishte dhënë mundësinë që të njihesha me shumë prej figurave më të rëndësishme të bashkësisë shqiptaro – amerikane. Ndër ta veçoja Dr. Elez Biberaj, Hon. Joe DioGuardi, Presidenti i Ligës Shqiptaro Amerikane dhe këshilltaren për çështjet Ballkanike zonjën Shirley Cloyes, gazetarin e njohur Vehbi Bajrami, nacionalistët Musli Mulosmani, artistët Fadil Berisha, gazetarin Beqir Sina etj. Nuk vonova shumë dhe një ditë shkova tek selia e Federatës Pan – Shqiptare Vatra në Bronx, New York.
Atë ditë takova për herë të parë zotëri Agim Karagjozin për të cilin kisha dëgjuar shumë.
Kryetari i Vatrës, Ingj. Agim Karagjozi ishte një burrë i shtruar. Kur e takova unë ai ishte shtatëdhjetë e dy vjeç. Ai kishte gjashtë vjet qëkurse ishte zgjedhur kryetar i organizatës më të vjetër, më me emër dhe më me ndikim në historinë e Shqipërisë. Ai kishte kaluar një jetë plot me ngjarje, si çdo emigrant ose njeri që kishte qenë kundër rregjimit komunist. Ajo që e shquante atë ishte fakti që asnjëherë nuk pushoi së punuari për çështjen kombëtare shqiptare. Ai kishte kryer shkollën fillore në qytetin e lindjes në Gjirokastër. Më pas ai shkoi në Vlorë ku kreu klasin e pestë. Në vitet 1938 – 1944 studioi në liceun e Korçës, gjimnazin e Gjirokastrës dhe atë Tiranës. Në verën e vitit 1944 ai u mobilizua të luftonte kundër forcave të Mihajloviçit në Qafën e Morinës me batalionin “Besnik Çano” Po atë vit ai largohet nga Shqipëria dhe në vitet 1948 deri në vitin 1955 studion në “Robert Kolegjin” e famshëm të Stambollit ku u diplomua si inxhinjer elektrik.
Agim Karagjozi ishte u brumosur me shpirtin e identitetit kombëtar të Mithat Frashërit dhe të shqiptarisë. Ajo që e frymëzoi atë gjatë tërë jetës ishte deviza:
“Pa Kosovë nuk ka Shqipëri dhe pa Shqipëri nuk ka Kosovë”.
Kjo e bëri atë një luftëtar të paepur për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodheshin, në Kosovë, Maqedoni, Presheve, Mal të Zi dhe Çamëri. Ai i zhvilloi këto cilësi që kur u bë anëtar i rinisë balliste shqiptare.
Historia mëse njëqind vjeçare e Vatrës dhe njëqint e dhjetë vjeçare e DIELLI – t nuk kuptohen dot pa emrin e Agim Karagjozit, të pakten jo për përiudhën që nga viti 1960 e deri në vitin 2018. Pra një periudhë 58 vjeçare. Nga një vatran i thjeshtë në vitin 1960, ai u bë zevendës kryetar në vitin 1965, kohe kur Vatrën e drejtonte patrioti i madh shqiptar i Amerikës, Anthony Athanas. Ai themeloi Fondin e Përhershëm të Vatrës dhe kontribuoi edhe vetë për ndërtimin e Shtëpisë së Vatrës në Bronx në vitin 1997, aty ku gjëndet sot. Një ndër ëndërrat e tij të cilën e ndoqi deri në realizimin e saj ishte ta shihte komunizmin të rrëzuar në Shqipëri dhe Ksovën të çliruar. Një ndër gjërat që ai e thoshte përherë në jetën e tij ishte:
“Mos u dorëzo, mos u frikso, mos e lësho vendin tënd!”


Ishte periudha fill pas rënjes së komunizmit që e bindi atë të bëhej shtetas amerikan pasi tanimë ëndrra e tij për një Shqipëri të lirë e demokratike ishte plotësuar. Kjo u pasua edhe me zgjdhjen e tij si Kryetar i Vatrës dhe vatranëve në vitin 1992. Veprimtaria e tij patriotike ka aq shumë pika ndalese. Ndër to është sjellja me iniciativën e tij e eshtrave të mbetura në mërgim të patriotit të madh, diplomatit të shquar, themeluesit dhe drejtuesit të parë të Vatrës, Faik Konicës në vitin, 1995. Cermeonia u shoqërua me një një pritje madhështore që u organizua nga qeveria shqiptare e asaj kohe. Ai udhëtim u pasua nga një tjetër i Vatranëve të drejtuar nga kryetari tyre, tashmë me një trajtë të një figure historike si Agim Karagjozi, në veriun e Shqipërisë. Ata iu afruan kufirit me Kosovën, në Tropojë ku kishin ardhur për të inkurajuar djemtë e vajzat shqiptare që luftonin për çlirimin e Kosovës. Aty sollën ndihma mjekësore dhe financiare. Media amerikane i bëri jehonë këtij udhëtimi. Ai ishte mik i afërt me Presidentët Rugova dhe Berisha. Historike do të mbetet takimi i tij dhe shqipatro amerikanëve të tjerë me Presidentin Klinton në Zyrën Ovale. Presidenti Amerikan i inkurajoi shqiptarët e Amerikës nëpërmjet Vatrës që të punonin fort me çdo mjet e vëçanërisht në media për të mbajtur lart opinion e brendshëm amerikan në mbështetje të luftës në Kosovë. Ishte pikërisht ajo periudhë kur edhe autori i këtij shkrimi u angazhua me çdo mjet për të ndihmuar në mbajtjen lart të asaj fryme. Ishin 11 emisione televizive, në formën e debateve të transmetuara drejpërsëdrejti nga kanali amerikan CN8 me serbo – amerikanë në anën tjetër të tavolinës dhe dhjetra e qindra njerëz që ndërhynin me telefonatat e tyre në atë emission të quajtur “It’s your Call”. Çdo natë pas emisionit, të cilin i ndjeri e ndiqte me aq vemëndje, telefonatën e parë e merrja pikërisht prej tij dhe prej tij dëgjoja ato fjalë inkurajuese për të vazhduar më tej.
Megjithëse mosha po bënte të veten, ai nuk pushoi së vepruari në të mirë të kombit. Në vitin 2005 ai drejtoi shqiptarët që të dëgjonin Presidentin George W Bush tek e inicionte pranimin e Shqipërisë si antare e NATO – s. Në vitin 2010, ai e ndjeu se fuqitë po i shterroheshin dhe vendosi t’i lëshonte vendin si kryetar i Vatrës një patrioti dhe nacionalisti tjetër, Dr Gjon Bucaj i cili që prej shumë vitesh gjëndej përherë në krah të tij bashkë me aktivistin e shquar dhe nënkryetar i Vatrës, z Agim Rexha. Të dy Agimët patën fatin dhe nderin të bënin histori në atë periudhë të rëndësishme të jetës së Vatrës. Por Vatra nuk mund ta lëshonte lehtë emrin e atij që i bëri aq nder për aq shumë vite andaj e zgjodhi atë President Nderi. Të gjithë vatranët e mbajnë mend mirë porosinë e Agim Karagjozit kur thoshte:
“Egoist nuk është vetëm ai shqiptar që i vendos interesat e shqiptarisë mbi ato të vetat.”
Takimet e mia me Agim Karagjozin kanë qenë ndër momentet me të bukura dhe më frymëzuese që kam patur ndonjëherë kur jam takuar me ndonjë shqiptar. Ai fliste butë, embël dhe ngadalë por asnjëherë nuk i binte një fjalë në tokë. Shqetësimi dhe përkushtimi i tij për të ardhmen e shqiptarisë i tejkalonte shumë herë shqetësimet e tij familjare, ato ekonomike apo të moshës së thyer. Ai besonte tek e ardhmja e shqiptarëve. Kthimet e herepasherëshme në New York nga misionet e mia sa nga Prishitna, sa nga Tirana sa nga Londra ku unë shërbeja, kishin përherë në plan takimin me Presidentin e Vatrës. Në mbledhjet në seli apo tryezat e darkave ai gjëndej përherë i rrethuar nga vëllezër që kanë bërë bashkë me të edhe historinë më të re të Vatrës si z. Agim Rexha, Dr Gjon Bucaj, z. Idriz Lamaj, z. Zef Balaj z. Zef Pernocaj, zonja Marjana Bulku e sa e sa të tjerë. Ata ishin vatranët të cilët jetën e tyre në Amerikë nuk e kishin konsideruar si një privilegj për vete por edhe si një detyrim ndaj çështjes tonë kombëtare.
Takimi i fundit me Agim Karagjozin ishte me datën 6 Janar të vitit 2018, vetëm tre muaj para se ai të ndërronte jetë. Vatra organizoi promovimin e librit tim kushtuar Ambasadorit Herman Bernstein ne selinë e saj. Ishte një ditë tmerrësisht e ftohte, minus 14 gradë Celcius pas një bore të madhe që kishte pushtuar New Yorkun. Shumë vatranë ishin mbledhur atë ditë dimri. Papandehur ia behu Kreytari i nderit, z. Agim Karagjozi me të birin Zydiun që e mbante për krahu. Ai ecte me hapa të shkurtër krejt si një fëmijë që sapo ngrihet në këmbë për herë të parë. E mbante kokën lart dhe e përshkoi sallën mes për mes dhe erdhi e më ra në krahë. E folura i pengohej por më tha me zë të ulët: “Nuk rrija dot pa ardhur në këtë promovim që i vlen kaq shumë Vatrës dhe shqiptarëve. Jam i lumtur që po shihemi përsëri, sepse ditët e mia janë shkurtuar.”
Prania e tij i dha asaj ditë një dimension të madh. Përpara nesh ishte vetë historia gjysëm shekullore e Vatrës e përsonifikuar në aq shumë përpjekje, dështime dhe më në fund edhe suksese për çështjen shqiptare. Ai ishte një symbol, statujë, që fliste vetë pa patur nevojë të thoshte asgjë. Kur çdo gjë mbaroi, biseduam edhe për disa minuta, u përqafuam dhe u ndamë me lotë në sy. Në fakt edhe ai edhe unë ndjemë se nuk do të shiheshim më. Dhe kështu ndodhi.
Në më pak se tre muaj më 1 Prill 2018 ai ndërroi jetë në moshën 92 vjeçare, duke lënë pas një familje të mrkullueshme ku spikat djali i madh, aktivisti i shquar i Vatrës, Zydiu.
Agim Karagjozi Ai ishte një pasardhës i denjë i Faik Konicës dhe i Peshkopit Noli. Me vdekjen e tij patriotizmi i vërtetë shqiptar humbi një emër të madh, një aktivist të shquar, një dashamirës të paepur të atdheut, një model të mençurisë dhe mendjes shqiptare, një antikomunist pa kompromis.
Ai kurrë nuk pushoi së punuari për të mirën e vendit të tij të dashur, Shqipërisë dhe e kaloi pjesën kryesore të jetës në përpjekje për të forcuar marrëdhëniet shqiptaro – amerikane. Nëse do të përpiloja një listë të shqiptarëv që kam pasur nderin t’i takohj gjatë gjithë jetës time, një nga emrat më të respektuar do të ishte emri i Agim Karagjozit.
Askush nuk to të jetojë përgjithmonë. Por në fund të fundit shkon i lumtur ai që lën pas një emër dhe një trashëgimi si ajo e Agim Karagjozit të cilin do ta konsideroja si mentorin e patriotizmës shqiptare.

*Studjues dhe diplomat

PJESA E PARË: VATRA – “Qeveria shqiptare” në mërgim 

PJESA E DYTË: Kontributi i VATRËS në Konferencën e Paqes, Paris 1919     

SHKARKO APP