Agim Neza, ky mjeshtër i Fjalës së Lirë dhe promovues i Shqipërisë së mirë
(Në 55-vjetorin e lindjes, promovohen 3 librat e gazetarit dhe publicistit të njohur)
Nga Albina Gjergji
“Diplomacia Publike”, “Marrëdhënie publike, strategjitë dhe taktikat”, “Dashuri dhe trishtim në një vend komunist”. Janë këto tre tituj me autor të ndjerin Agim Neza, që mbrëmja e sotme bëri bashkë në ambientet e “Hotel Tirana International” akademikë, njerëz të letrave, miq, dashamirës, kolegë dhe ish studentë.

Konceptuar me mjaft delikatesë edhe si një takim përkujtimor për të ndjerin, familjarët e prof. dr. Nezës zgjodhën pikërisht 55-vjetorin e lindjes së tij për të promovuar 3 veprat e tij.
Presidenti (i zgjedhur) i vendit, z. Ilir Meta, ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Luan Hajdaraga, Artan Fuga, Bashkim Gjergji, Agim Doçi, Ilirian Çelibashi, Rezear Xhaxhiu, Roland Qafoku, etj. ishin disa nga emrat pjesëmarrës, që nderuan me fjalën e tyre kujtimin dhe kontributin e Agim Nezës.

Në këtë aktivitet, ku spikaste dashamirësia e jashtëzakonshme për figurën e lartë të autorit mbajtën fjalën disa personalitete, të cilët ndanë me të pranishmit eksperiencat e bashkëpunimit dhe copëza kujtimesh personale.
I pari që referoi ishte akademiku Artan Fuga. Në fjalën e tij, ai vlerësoi kontributin e gazetarit dhe publicistit Neza, veçanërisht mbi promovimin e pashoq të Shqipërisë në rang ndërkombëtar dhe si një mjeshtër i Fjalës në Departamentit e Gazetarisë.

“Njihem prej vitesh me mikun tonë dhe kolegun Agim Neza dhe kur më thanë që do flisja për veprën e tij, për librat e tij, për artikujt dhe shkrimet e tij… e pranova me dëshirë, por me vete thashë që, duhet të përgatitem. Vajta në Bibliotekën e Departamentit. Mora librat, i pashë edhe një herë dhe më doli para sysh jeta e Gimit. Sepse jeta e tij, ndofta si specialist i Marrëdhënieve të Komunikimit mund të ketë qenë e vështirë, pasi shpeshherë punën e pedagogut e konsiderojnë si të lehtë dhe nga jashtë e konsiderojnë si një punë që është statike me ato koleksionet që bën dhe kaq. Harrojnë që nganjëherë nga mbrapa ka një evolucion të shpirtit, të mendjes dhe e bukura… me librat, botuesit kishin shkruajtur që me këto libra, Agim Neza është rindërtuar shpirtërisht, se profesionalisht dihet tashmë. Ai është një nga promovuesit më të mirë të vendit tonë”, u shpreh Fuga në fjalën e tij, duke ndarë njëherësh me të pranishmit kujtime, si dhe bisedat e fundit me mikun dhe kolegun e tij.
Presidenti i vendit, Ilir Meta vlerësoi gjithashtu profesionalizmin e Nezës, thjeshtësinë e njeriut të mirë, si dhe qytetarinë e tij. “Ruaj eksperiencë të mrekullueshme me Agim Nezën në kohën kur ai ishte zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. Ne kemi punuar shumë ngushtë me të dhe kam përshtypjet më të mira për figurën e tij. E vlerësoja shumë jo vetëm për profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe luajalitetin në marrëdhëniet bashkëpunuese, por mbi të gjitha për sensin e humorit dhe aftësinë për të ç’tensionuar situatat e vështira dhe delikate. Për mua do të mbetet i paharruar”, theksoi Meta”.

Nën moderimin e gazetarit Arben Muka (Deutsche Welle), u prezantua gjithashtu edhe një dokumentar mbi jetën dhe karrierën e Agim Nezës. Sfidat, sakrificat, ambiciet, sukseset dhe dashuria për familjen e tij të shtrenjtë ishin kryefjalë e filmit, që mbante firmën e gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilirian Agolli.
Mesazhi i ndjerë i dy vajzave të tij, Ergia dhe Edona Neza gjatë transmetimit të Speciales përlotën gjithë të pranishmit. Vogëlushet i premtuan babi Gimit që do të ndjekin e shembullin e tij të mirë dhe që do të jenë gjithmonë krenare që janë bijat e tij.

Agim Nezaj ka lindur në Tropojë. Është diplomuar në Universitetin e Historisë dhe Filologjisë në vitin 1987, Fakulteti I Gjuhëve të Huaja dhe në Fakulltetin e Drejtësisë në vitin 1999. Ka përfunduar studimet Master të Nivelit të Dytë në Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 2009-2011. Është kualifikuar dhe specializuar për Lajme Ndërkombëtare, MP, Përgjegjësia e MP, etj. në Londër, Hollandë, SHBA, etj..
Që nga viti 1999 deri më 2014 ishte pedagog i lëndës MP në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. 2013-2014, Neza ishte kryeredaktori gazetës Koha Jonë (kohë kur edhe u shkëput përfundimisht nga jeta publike). Ai ka qenë Këshilltar i Mediave në Ministrinë e Drejtësinë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Jashtme, në Kryesinë e Kuvendit etj..
Kontributi i Prof. Dr. Agim Nezës në Gazetarinë Shqiptare, në Letërsi, Publicistikë, Turizëm, Politikë e në tërësi në botën akademike është shumë i madh dhe i vyer. Ai do të kujtohet gjithmonë si një nga figurat më të spikatura të Gazetarisë dhe si një promovues i jashtëzakonshëm i vendit të Shqiponjave nëpër botë.
KOHA JONË SONDAZH

