Agim Seranaj: Ekspertët që vlerësojnë ndërtesat duhet të kenë një formular të unifikuar
Zëvendësdekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Agim Seranaj, i ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion” zbuloi fakte tronditëse për mënyrën sesi po inspektohet dhe po bëhen ndërhyrje për riparime në zonën e dëmtuar nga tërmeti në Durrës. Ai tha se në fazën e vlerësimeve po bëhen gabime. Seranaj solli prova që tregojnë se ekspertë dhe ekipe të ndryshme po japin konkluzione të ndryshme për të njëjtin objekt. Seranaj deklaroi se fakti që ngatërron specialistët dhe qytetarët është se grupet e inspektimit kanë 5 modele të ndryshme formularësh.
“Duhen bllokuar të gjitha këto formula të ndryshme dhe të ketë vetëm një formular të unifikuar. Po ngatërrohen fazat e para të vlerësimit dhe po lejohen të punojnë për përforcime dhe meremetime”,- tha Seranaj. Zëvendësdekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit tha se së bashku me një ekip ekspertësh dhe inxhinierësh janë përpjekur këto ditë që të unifikojnë procedurën. Ai deklaroi se programin që po përdore me ekipet dhe ixhinierët ja ka sugjeruar qeverisë që ta përfshijë në program për gjithë grupet e punës, që të mos krijohet konfuzion. Profesor Seranaj replikoi dhe me zëvendësministrin Artan Shkreli lidhur me numrin e madhe të formularëve të ndryshëm që po përdoret. Seranaj solli si shembull një ndërtesë të dëmtuar, në të cilën kishte nisur puna për restaurimin e saj, ndërkohë që ekspertët amerikanë kishin vlerësuar se ajo rrezikonte një çerdhe që ndodhej aty pranë. “Pa u pritur dhe pa u filluar faza e dytë, sepse pranë kësaj ishte një çerdhe që ishte bllokuar për t’u hapur sepse specialistë amerikanë kishin thënë, mirë çerdhja është në rregull, por oborri rrezikohet sepse mund të shembet ky objekt, prandaj ne shkuam dje si grup i tretë. Sepse grupi i parë kishte thënë është në rregull, grupi amerikan kishte thënë kjo shembet, grupi i tretë ishim ne. Ne u çuditëm më shumë nga kjo, që atje kishin filluar punimet, edhe jashtë ku këtu ka aq dëme, ku ja po punon ai ustai atje”,- tha Serandaj duke treguar me foto ndërtesa ku kishte nisur puna.
Gjithashtu, inxhinier Seranaj u shpreh se në Durrës kanë nisur riparimet për një pjesë të objekteve të dëmtuara. Ai tha se një procedurë e tillë është e gabuar, pasi ende nuk ka një praktikë të përbashkët për mënyrën sesi do bëhen këto ndërtime, kush do t’i projektojë, kush do t’i bëjë punët dhe në fund kush do t’i certifikojë. Inxhineri shtoi se nuk duhet të bëhet asnjë nxitim në vlerësim dhe aq më pak në riparime dhe ndërhyrje. “Objektet që ne po ndërhyjmë, t’i bëjmë me shpejtësi, pa u mbaruar akoma ekspertiza e mirëfilltë, e vlerësimit të dëmeve dhe e mënyrës sesi duhet të ndërhyjmë, ka procedurë. Nuk bëhet partizançe, artizanalçe, se na kapi shiu e bora, por ngrihen institucione. Institucioni i parë që duhet të kryente aktin e konstatimit ka prodhuar në treg atje, 5 formularë të ndryshëm që unë kam mundur t’i kem. Mund të jenë 20 formularë”,- tha Seranaj.