Agresioni rus është normaliteti i ri i Europës, plani i NATO-s për Europën Lindore
”Agresioni rus është normaliteti i ri i Europës”, tha sot sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas mbledhjes së Ministrave të Mbrojtjes në Bruksel. Aleanca nuk do të heqë dorë nga principet e saj bazë, ai tha se nuk është ende vonë për Rusinë që të tërhiqet nga pragu i konfliktit. Stoltenberg njoftoi se NATO i ka dërguar Moskës propozime konkrete në letër për transparencën dhe kontrollin e armëve.
Mbledhja e ministrave të NATO-s vjen në një moment kur Rusia pretendon se po tërheq disa nga trupat e saj të vendosura pranë kufijve të Ukrainës. Aleanca e Atlantikut të Veriut pohon të kundërtën, që Moska po shton prezencën ushtarake përreth vendit fqinj dhe nuk beson që rreziku i një pushtimi të Ukrainës është ulur.
NATO po përgatit një strategji mbrojtjeje dhe ka urdhëruar komandantët ushtarakë të thurin plane për grupe të reja luftuese në Europën Lindore dhe Juglindore. Kriza mes lindjes dhe perëndimit u ndez nga tentativat e Rusisë për të penguar anëtarësimin e Ukrainës në NATO.