Agron Duka: Bujqësia nuk është një patate e nxehtë, por çelsi i së ardhmes

Intervistë me zotin Agron Duka, kryetar i PAA

Z. Duka, këto ditë kemi ndjekur një intensifilim të protestave të fermerëve dhe blegtorëve në shumë qarqe të vendit, mund të na thoni çfarë po ndodh?
Fermerët janë të saturuar nga premtimet dhe fjalët tanimë, kanë nevojë për zgjidhje. Për këtë keni parë protesta për subvencione, për treg, për përmbytjet, madje disa janë përmbytur dy herë brenda pak muajsh. Janë përpara dy zgjedhjeve, të protestojnë për të kërkuar përmirësime, apo të braktisini fshatin dhe Shqipërinë.
Fermerët janë lodhur sepse kanë kaluar 27 vite tanimë dhe bujqësia nuk po arrin të krijojë vetmjaftueshmërinë dhe të ktheht në  një ekonomi të shkallës. Nuk është konkurruese në rajon dhe nuk arrin as të jetë vetplotësuese e nevojave të tregut të brendshëm. Arsyet janë po ato, të hershme, madhore, komplekse, kokëforta dhe që nuk adresohen kurrë në mënyrë strategjike, por të fokusuara te zgjidhjet e përkohëshme.
Natyrshëm që çdo qeveri do të duhet të përpiqet të gjejë rrugë dhe instrumente për të mbështetur prodhimin vendas, përfshi atë bujqësor, madje në kontekstin e Shqipërisë, mbi të gjitha atë bujqësor. Por, sidoms këto pesë vite bujqësia nuk mori hovin e nevojshëm për të qenë një sektor tërheqës për ekonominë e vendit, dhe rezultatet janë këto që shohim të gjithë, protesta dhe debate mbi pataten. Bujqësia është çelsi i të ardhmes, nuk mund të trajtohet si një patate e nxehtë.

Cilat janë sipas jush pritshmërit për këtë sektor?
Këto protesta do të jenë normaliteti nëse nuk ndryshojmë qasje ndaj bujqesië. Sot, në biznesin bujqësor janë të pakët fermerët dhe përpunuesit që janë të kënaqur me fitimet e tyre. Nëse  do  të bëhet një analizë ekonomike e fitimeve në fermë, do bindemi që bujqësia dhe bujku është nën stres të madh ekonomiko-social.
Pra, pak biznese bujqësore janë të shëndoshë  nga ana financiare. Për këtë arsye duhet një ndërgjegjësim, jo vetëm i politikës, mbi strategjinë që ne duhet të zgjedhim si shtet. Me shumë gjasa ne nuk kemi për të zhilluar një ekonomi të “rëndë”, në këtë moment nuk ka as ndonjë përparësi të sektorit të teknologjisë së informacionit. Ajo që mbetet është sektori i bujqësisë. Në këtë fushë punon gati 40% e popullsisë, jep rreth 20% të produktit të brendshëm bruto, por i jepet rreth 2% i PBB-së.
Kjo fushë duhet të kthehet në prioritet kombëtarë. Duhet përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, përmirësimi i infrasrukturës së kullimit e ujitjes, shtimi i mekanikës bujqësore, organizimi  i rrjetit të tregëtimit të inputeve bujqësore (plehra, produkte të mbrojtjes së  bimëve, mjete për ujitjen, etj). Me pak fjalë, duhet të kuptojmë njëherë e mirë se kemi vetëm një mënyrë për të përmirësuar ekonominë dhe jetesën e banorëve të zonave rurale, dhe ajo është bujqësia me derivatet e saj. Sa më shpejtë ta ndërmarrim këtë zgjedhje, aq më mirë do të jetë.

Z. Duka, mazhoranca qysh prej fillimit të mandatit po flet për një sasi të madhe fondesh që do t’i akordohen sektrorit të bujqësisë, keni një koment mbi këtë?
Subvencionet janë rruga e duhur për të nxjerrë bujqësinë nga faza mesjetare në të cilën dergjet. Jo vetëm për kompanitë që operojnë në sektorin e agrobiznesit, por edhe për fermerët, të cilët shohin ato si një mundesi për të rritur kapacitetet e prodhimit, për të modernizuar teknologjinë, dhe mbi të gjitha për të përmirësuar produktet dhe sigurinë ushqimore. Subvencionet janë një ndihmë por edhe një incentiv për formalizimin.
Nga sa është deklaruar deri në këtë moment, skema e subvencioneve për këtë vit është 2.6 miliard  lekë, ose rreth 20 milion euro. Unë dëshiroj të përshëndes çdo lëvrim parash publike që shkon drejt bujqësisë, por për të matur efektin e tyre duhet të kemi një qasje pak më kritike, ndoshta edhe krahasuese me vendet e rajonit, për të mos shkuar më larg.
Kosova dhe Maqedonia janë dy vende më të vogla se Shqipëria, por e para jep 60 milion euro në vit dhe e dyta 150 milion euro në vit në subvencione. Tani, duke marrë parasysh këto shifra, ne arrijmë të kuptojmë atë “lëmoshën” që është ai 2.6 miliardëshi që propagandohet këtu te ne. Mos të flasim pastaj për procedurat e aplikimit dhe prapambetjen e kapaciteteve njerëzore në përgatitjen e dokumentacionit, të cilat detyrojnë fermerët të bëhen ekspertë të burokracisë dhe të informatikës.  Fermerët duhet të marrin ndihmesë teknike në projekte nga specialistët e bujqësisë në rrethe. Por, shumica e tyre, në vend të shkojnë arë më arë e në takime me fermerët, qëndrojnë në zyra dhe hartojnë broshura “studimore” për fshatin.
Sipas jush sa kompetitive është bujqësi shqiptare në krahasim me vendet e tjera të rajonit?
Në këtë moment ne jemi në një garë në të cilën po ecim me frenat e dorës ngritur. Sigurisht, në krahsim me vendet e tjera, jemi disa hapa mbrapa nga pikëpamja e infrastrukturës, strategjive dhe modernizimi i sektorit. Por, sikurse thash më sipër, nëse ne do të “hiqnim frenat e dorës” me të cilat po ngadalsojmë këtë sektor, 40% e populates do të përfitonte nga ringritja e saj, madje përfitimi do të ishte shumëpalësh dhe shumëfish, si në aspektin e rritjes ekonomike, ashtu edhe atë të punësimit.
Unë mendoj se zonat rurale kanë shanse të mëdha. Sepse nëse shohim vende të tjera prodhuese të frutave, mund të shohim se ato po thahen. Nuk kanë më ujë. Aseti i Shqipërisë është uji dhe përmes ujit mund të zhvilloni një sektor bujqësor të fuqishëm. Një pjesë e madhe e tokës së mbjellë është pranë nivelit të detit, çka kombinuar me tokën e pasur, krijon një mikroklimë ideale për hortikulturën. Ne jemi në pozita të shkëlqyera për hortikulturë, jo vetëm falës tokës pjellore, klimës ideale dhe krahut të lirë të punës, por edhe në terma logjistike për shkak të lidhjeve tona me vendet e BE-së. Prandaj, sipas pikëpamjes sime, ne kemi mundësi të mëdha pasi potenciali është i jashtëzakonshëm për të konkuruar Rajonin, dhe jo vetëm.

SHKARKO APP