Ahmetaj ul shifrat: ‘Investimi i “Omnix” në Gjirin e Lalzit 180 milionë €’. Kompania foli për 450 milionë USD
Ministri i Financave Arben Ahmetaj shprehu keqardhje për largimin e biznesmenit amerikano-libanez Faad Mitri, dhe tërheqjes së investimit në Gjirin e Lalzit.
I ftuar në emisionin të “Të bësh Ekonomi” në News24, ministri Ahmetaj tha se investimi i deklaruar i kompanisë “Omnix” ishte 180 milionë euro, ndërkohë që kompania në deklaratën e saj para largimit foli për 450 milionë dollarë.
“Shoqata e investitorëve të huaj e trajton si një incident të kufizuar. Me gjithë vështirësitë që ka kaluar ky vend ne nuk kemi asnjë investitor të huaj të vrarë. Rasti është i trishtë, është incident i kufizuar dhe shteti i ka qëndruar nga mbrapa kësaj sipërmarrje që ta realizonte investimin. Investimi është 180 milionë euro i deklaruar.”- deklaroi ministri Ahmetaj.
LARGIMI I OMNIX
Dhjetë ditë pas dhunimit të biznesmenit amerikano-libanez Faad Mitri, kompania e tij u tërhoq nga investimi gjigand në Gjirin e Lalzit. Kompania Omnix Albania bëri të ditur se tërhiqet nga ndërtimi i kompleksit turistik në Gjirin e Lalzit dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri. Ajo shprehet se akti i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve. Sipas kompanisë, ky projekt gjigand synonte të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018.
Biznesmeni libanez 55-vjeçar, u përplas fillimisht me makinë, ndërsa udhëtonte me familjen dhe më pas u dhunua barbarisht nga 3 persona. Një prej autorëve të dyshuar është vënë në pranga. Sipas policisë, krimi pati si motiv konfliktin e pronësisë pikërisht për tokën tek Gjiri i Lalëzit.

