Ai nuk mundi ta kuptonte popullin e tij, po ashtu siç ky popull nuk e kuptoi atë

Eqrem Bej Vlora ishte një intelektual me përmasa evropiane, i krahasueshëm në Shqipëri vetëm me Faik Konicën: aristokrati shqiptar i portretizuar nga historiani Hasan Kaleshi në Leksikonin Biografik të Historisë së Evropës Juglindore të Institutit Leibniz në Gjermani

Hasan Kaleshi

Eqrem Bej Vlora, politikan dhe publicist shqiptar, * Vlorë 1.12.1885, † Vjenë 29.03.1964, djali i Syrja Bej Vlorës dhe Mihri Hanëm Toptanit.

Eqrem Bej Vlora mori gjithë arsimin e tij fillor nga mësues privatë, fillimisht nga një inxhinier italian dhe një teolog islam shqiptar; që nga mosha 10-vjeçare atij i dha mësim një arsimtar nga Bazeli, i cili ia mësoi gjermanishten dhe frëngjishten dhe i ndërmjetësoi njohuri të përgjithshme të shkollës fillore të Zvicrës. Më pas, nga Stambolli, sollën një mësues për gjuhët turke, arabe dhe perse, në mënyrë që Eqrem Bej Vlora në moshë të re të kishte njohuri shumë të mira të italishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, arabishtes dhe turqishtes. Në vitin 1897, një mësues nga Vjena filloi ta përgatiste për shkollën e mesme të ulët. Në vjeshtën e vitit 1899, ai shkoi në Bazel për të dhënë provimet për përfundimin e shkollës fillore dhe të shkollës së mesme të ulët. Më pas u regjistrua në Theresianumin e famshëm në Vjenë, ku për herë të parë filloi të merrej me problemet shqiptare. Filloi një korrespondencë me Faik Konicën dhe me pretenduesit e fronit shqiptar Don Aladro Kastrioti dhe Princ Albert Gbica, ku me këtë të fundit u njoh personalisht dhe u miqësuan. Në vitin 1903 përfundoi Theresianumin dhe menjëherë udhëtoi për në Stamboll, ku në tetor të po atij viti u regjistrua në fakultetin juridik. Në vitin 1904, me ndërmjetësimin e xhaxhait të tij, Vezirit të Madh Ferid Pasha, u punësua si sekretar në Departamentin Juridik të Ministrisë së Jashtme. Në qershor të vitit 1904 ishte anëtar i Komisionit shtetëror që inauguroi me ceremoni segmentin e hekurudhës së Hexhazit nga Damasku në Al-Ma’an. Me këtë rast vizitoi disa qytete në Siri, Liban, Jordani dhe Palestinë. Në vitin 1905 bëri përsëri një udhëtim në Lindjen e Afërt me një anije lufte turke që ndaloi në Egjipt, Akaba, Hadramaut, Muskat, Oman, Kuvajt; dhe nëpërmjet Karaçit u kthye në Stamboll. Pak më vonë, dy motrat e tij u sëmurën nga tifoja, kështu që ai shkoi me to për një ndryshim klime në Evropë, ku qëndroi rreth katër muaj në Kanë dhe në Nicë.

Në Kanë, Eqrem Bej Vlora shkroi veprën e tij të parë politike me titull “Qëllimet dhe e ardhmja e shqiptarëve”, të cilën e botoi më vonë me pseudonimin Merke Yeb Arolv në “Österreichische Rundschau” (1908). Në të, ai trajtoi kryesisht veprën e Leopold Freiherr von Chlumecky “Austro-Hungaria dhe Italia” (Vjenë 1906). I shtyrë nga malli për atdheun, u kthye në fund të vitit 1906 në Shqipëri dhe udhëtoi nëpër vend. Në janar të vitit 1907, u kthye në Stamboll përmes Tripolit. Në vjeshtën e po atij viti udhëtoi përsëri për në Paris, ku u takua me shumë politikanë. Pas Revolucionit Xhonturk, ai ishte një nga themeluesit e klubit “Bashkimi” në Stamboll. Së bashku me Dervish Himën u caktua si delegat i shqiptarëve të Stambollit për Kongresin e Alfabetit Shqiptar në Manastir, por policia turke e ndaloi udhëtimin e tij. Në Stamboll mori pjesë në botimin e gazetës “Shqiptari-Arnavud”, e cila botohej në shqip dhe në turqisht dhe redaktohej nga Dervish Hima dhe Hil Mosi; në të njëjtën kohë mori pjesë aktive në luftën për alfabetin shqiptar me shkronja latine. Në atë kohë u botua edhe broshura e tij “Abeceja Pelasgjike” (Stamboll, 1909). Bashkëpunimi midis shqiptarëve dhe xhonturqve, siç dihet, nuk zgjati shumë dhe shpejt pati përplasje midis nacionalistëve shqiptarë dhe udhëheqjes xhonturke. Eqrem Bej Vlora shkroi atëherë traktatin e tij politik-historik “E vërteta mbi veprimet e xhonturqve në Shqipëri” (Vjenë, 1911), që edhe sot ruan vlerën e tij, pasi Eqrem Bej Vlora ishte aktivisht i përfshirë në ngjarjet e asaj kohe. Në të njëjtin vit doli edhe libri i tij “Nga Berati dhe Tomori” (Sarajevë, 1911), një libër plot me përshtypje personale, material politik, etnografik dhe sociologjik, që gjithashtu tregon arsimimin e lartë dhe talentin letrar të autorit. Megjithatë, duhet lexuar me njëfarë kujdesi, sepse në kohën e botimit Eqrem Bej Vlora ishte një nacionalist i verbër dhe i shihte gjërat vetëm përmes prizmit shqiptar. Në shtator të vitit 1911 udhëtoi përmes Konstancës dhe Bukureshtit, ku u informua për aktivitetet e kolonive shqiptare të atjeshme, për në Vjenë. Nga Vjena udhëtoi përmes Triestes për në Aleksandri dhe Kajro, ku u takua me Lordin Herbert Kitchener. Në fund të marsit 1912, ai u kthye në Shqipëri dhe udhëtoi përmes Ohrit, Dibrës dhe Tetovës për në Shkup, ku mbërriti në çastin kur shqiptarët kishin marrë qytetin dhe kishin filluar negociatat me komisionin qeveritar turk. Në korrik 1912 u kthye në Vlorë përmes Dubrovnikut. I shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë, i shkroi një letër Kontit Berchtold, në të cilën i sugjeronte monarkisë austro-hungareze të merrte nën mbrojtje Shqipërinë në rast të shpërbërjes së Perandorisë Osmane.

Kur Mali i Zi sulmoi Turqinë dhe filloi Luftën e Parë Ballkanike, babai i Eqrem Bej Vlorës, Syrja Bej Vlora, thirri një mbledhje të krerëve të Shqipërisë së Jugut në Vlorë, ndërsa dërgoi Eqrem Bej Vlorën në Vjenë për ta bindur Austro-Hungarinë që ose të njihte pavarësinë e Shqipërisë, ose ta merrte vendin nën protektoratin e saj. Në Vjenë, Eqrem Bej Vlora nuk mori një premtim të sigurt dhe u kthye në Vlorë, ku u emërua komandant i trupave vullnetare shqiptare nga valiu dhe komandanti i Janinës, Esad Pasha Haiasti. Më 28 nëntor 1912, pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Beu e thirri në Vlorë dhe e emëroi senator.

Ky mund të ketë qenë gabimi i tij i parë i madh, pasi kufiri grek mbeti i paruajtur. Humbja e Çamërisë dhe dëbimi i dhjetëra mijëra shqiptarëve myslimanë nga ky territor ishin pasojë e kësaj. Eqrem Bej Vlora u emërua nënkryetar i Senatit, i cili përbëhej nga 18 persona. Në fund të qershorit 1913, udhëtoi së bashku me disa anëtarë të parisë shqiptare në Romë dhe Vjenë, duke kërkuar përkrahjen e fuqive të mëdha për të mbrojtur kufirin jugor të Shqipërisë dhe për t’iu dhënë fund përndjekjeve ndaj popullsisë shqiptare myslimane në zonat jugore. Në Romë ai botoi një broshurë me titullin “Le dolanze del popolo albanese” (Romë, 1913). Në nëntor të vitit 1913, udhëtoi për në Vjenë dhe Berlin, pasi ishte përzgjedhur si këshilltar i Princ Wied-it, i caktuar për fronin shqiptar. Kur Wied hyri në Durrës më 7 mars 1914, Eqrem Bej Vlora u emërua sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Më 3 shtator 1914, princi Wied u largua nga Shqipëria; Eqrem Bej Vlora shkoi në Brindizi e prej andej në Athinë dhe Korfuz. Në mes të marsit 1916, ai shkoi në Messina, u urdhërua të shkonte në Romë dhe u internua në Cagliari. Ministria e Jashtme Austro-Hungareze e këmbeu Eqrem Bej Vlorën me tre italianë të mbajtur në Vjenë, përmes ndërmjetësimit të Qeverisë spanjolle. Në mars  të vitit 1919, mori lejen të kthehej në Romë dhe më pas shkoi në Stamboll e Vlorë. Si ai, ashtu edhe i ati i tij u pritën keq në Vlorë, pasi konsideroheshin si miq të italianëve. Në gusht të vitit 1920, ai u largua nga Vlora dhe udhëtoi për tetë muaj nëpër Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Në shkurt të vitit 1921 u kthye në Romë dhe qëndroi atje deri në vjeshtë, pastaj u kthye në shtëpi.

Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese në fund të vitit 1923, Eqrem Bej Vlora u zgjodh përfaqësues i Vlorës; ai i përkiste grupit të deputetëve konservatorë, të kryesuar nga mbreti i ardhshëm Zogu. Që atëherë ai kishte një vlerësim të lartë për Zogun, që vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Kur në qershor të vitit 1924 “demokratët” me në krye Fan Nolin erdhën në pushtet, u arrestuan Syrja Bej Vlora dhe Eqrem Bej Vlora, por u liruan së shpejti. Pas kthimit të Zogut, Eqrem Bej Vlora u bë sërish deputet dhe më pas senator. Në vitin 1928, ai u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër. Gjatë pushtimit italian, Eqrem Bej Vlora mbajti disa poste shtetërore, njëherësh ishte edhe ministër i Kulturës. Në fund të vitit 1944, ai emigroi në Itali. Në ekzil ai shkroi një studim historik “Kalaja e Kaninës” (Shejzat, 1961). Studimi tregon aftësinë e Eqrem Bej Vlorës për kërkime shkencore, dhe është për të ardhur keq që ai humbi kaq shumë vjet me veprimtari politike të pafrytshme. Në ekzil ai shkroi gjithashtu kujtimet e tij, të cilat zënë një vend të rëndësishëm ndër dokumentet e pakta të kësaj gjinie letrare në Shqipëri. Megjithëse autori në shumë raste nuk arrin të çlirohet nga një këndvështrim subjektiv i ngjarjeve, dhe prejardhja e tij nga shtresa e bejlerëve është e dukshme në çdo rresht, kujtimet e tij përbëjnë një dokument të rëndësishëm për rënien e klasës dikur sunduese, e cila e dinte shumë mirë se do të binte së bashku me Perandorinë Osmane. Për nga stili dhe përshkrimi plastik, këto kujtime i përkasin letërsisë së bukur, por për shkak të përshkrimit të personaliteteve dhe ngjarjeve kryesore, ato shërbejnë gjithashtu si burim historik. Eqrem Bej Vlora ishte një intelektual me përmasa evropiane, i krahasueshëm në Shqipëri vetëm me Faik Konicën; ai nuk mundi ta kuptonte popullin e tij, po ashtu siç ky popull nuk e kuptoi atë.

Dorëshkrime të tjera ndodhen në Institutin e Evropës Juglindore në Mynih, ndër të cilat janë “Kontribute për historinë e sundimit osman në Shqipëri” (1500 faqe), të cilat ai i shkroi së bashku me Marie Amelie Freiin von Godin. Bëhet fjalë për një vepër me vlerë të lartë burimore, pasi Eqrem Bej Vlora, i cili kishte punuar në Ministrinë e Jashtme Osmane, kishte qasje në materiale arkivore osmane dhe gjithashtu në dokumente nga arkivi familjar i Vlorajve, që kishin sunduar në Shqipërinë e Jugut për rreth 400 vjet dhe anëtarët e të cilëve mbanin pozita të larta në Perandorinë Osmane.

Përgatiti: Enver Robelli/ koha.net

SHKARKO APP