Aksident në Pukë, makina bie në lumin Fan, 2 të plagosur

Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur këtë të enjte në Pukë ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e lumit Fan.

Në makinë ndodhej shoferi 60 vjeçar, së bashku me të birin 24 vjeç, të cilët janë nxjerrë nga makina dhe janë dërguar në spitalin e Pukës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 12:15, në fshatin Hadroj, dyshohet se për shkak të lagështirës nga shirat, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e lumit Fan, automjeti me drejtues shtetasin Z. N., 60 vjeç dhe ku ishte pasagjer, djali i tij, shtetasi N. N., 24 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e aksidentit, ku kanë bërë të mundur nxjerrjen e 2 shtetasve. Ata janë transportuar në spitalin e Pukës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.”- njofton policia.

Grupi hetimor vijon të punojë për të zbardhur shkakun e aksidentit.

SHKARKO APP